Një ditë pas shfaqjes së dhunshme të Sali Berishës në pushtet, mijëra qytetarë të shokuar të Shqipërisë ende nuk e ndajnë dot nëse ai ishte një problem i fortë mendor i tij, apo një trukim i menduar politik për të tërhequr opozitën në një betejë që nuk ka lidhje me kauzën e saj për zgjedhje të lira
Mero Baze*
Pas shfaqjes së dhunshme të kryeministrit Berisha në Kuvendin e Shqipërisë një ditë më parë shumë koleg të mi vazhdojnë të pyesin veten, për arsyet përse një kryeministër mund të bëjë një gjest të tillë.
E parë në aspektin politik Sali Berisha duket se del i humbur nga një shfaqje e tillë vulgare, pasi përveçse humbet respektin e qytetarëve normal të këtij vendi, nuk arrin të mbrojë dot Familjen e tij nga akuzat financiare që i janë bërë me akuzat seksuale që përdor për të tjerët.
Po ashtu kjo shfaqje e dhunshme publike nuk shpjegohet dot as me pasojat e parashikueshme për portretin e tij moral dhe për nevojën për një klimë besimi ndaj opozitës. Kështu që gjithë shpjegimet ngushtohen te dy pista, ose ai ka probleme të forta mendore, dhe nuk e ka veten nën kontroll, ose e shikon që kriza ka prekur fundin dhe ai po përpiqet të mobilizojë të vetët në një luftë të paprecedent fyerjesh dhe sharjesh ndaj liderit opozitës me qëllim që të ndajë palët dhe të detyrojë shoqërinë të marrë qëndrim pro tij ose pro Ramës.
Unë mendoj se janë të dyja arsyet. Edhe pse Berisha ka qenë i përgatitur me mendje të ftohtë të bëjë atë sulm në Kuvend, askush nuk përjashton dot mundësinë që humbja e ekuilibrit mendor dhe vetëkarikimi gjatë bisedës e bënë atë fjalim një rekord historik për parlamentin shqiptar, i cili zor se do të thyhet ndonjë herë në të ardhmen. Por nga ana tjetër ajo ngjan dhe si një humbje kontrolli e kontrolluar.
Natyrisht, ne që e kemi njohur nga afër Sali Berishën dhe dimë çdo detaj të çrregullimeve të tij mendore, nuk frikësohemi dhe e nuk e marrim seriozisht, por Sali Berisha nuk na llogarit ne kur mban fjalime të tilla. Ai llogarit njerëzit e thjeshtë, biznesmenët që nuk njohin detaje të politikës dhe qytetarët neutralë. Ai kërkon të trembë gjithçka, me qëllim që të zvogëlojë mbështetjen e opozitës.
I shqetësuar seriozisht nga mitingu masiv i opozitës javën që shkoi, ai po bën ç'është e mundur, duke keqpërdorur dhe veten e tij, dhe asetet e tij të fundit morale dhe skrupujt e fundit njerëzor, që të ndalë kundërshtarin.
Ky është guri i tij i fundit. Pas kësaj ai s'ka ç'të thotë më, përveçse të veprojë duke vrarë dhe përdhunuar dhe fizikisht kundërshtarët e tij. Por sot një ditë pas asaj shfaqje të dhunshme në Kuvend, Kryetarja e Parlamentit, podiumi i të cilit u përdhunua nga Sali Berisha, doli qetësisht dhe i kërkoi opozitës të shkojë në Kuvend. Zonja Topalli, e cila dje para se në atë podium të hipte Sali berisha, kishte thirrur gra nga gjithë Shqipëria që protestonin ndaj dhunës së burrave.
Pasi gratë e zonjës Topalli dolën jashtë, në atë podium u ngjit një burrë që nuk la grua, nënë e motër pa sharë për llogari të kundërshtarëve të vet politik dhe zonja Topalli heshti, si një grua e përdhunuar prej tij.
Kjo shenjë e frikshme e degradimit institucional të parlamentit dhe vetë Partisë Demokratike, është po ashtu një pasojë e krizës personale, politike dhe morale që ka Sali Berisha. Asnjë kryetare parlamenti nuk do të kishte guxuar sot të ftonte opozitën në Kuvend, pa kërkuar ndjesë për atë përdhunim publik që kreu i qeverisë i ka bërë nga ajo foltore kundërshtarëve të vet.
Sot më shumë se sa opozita, duhet të ketë një problem moral me Sali Berishën shumica në pushtet, e cila duke qenë me një zë me një emër dhe një fytyrë si Sali Berisha, po i ngjan sot një përdhunueseje të madhe të shoqërisë shqiptare.
(*) Dërguar nga autori