Prishtinë, 27 Nëntor NOA - Në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Kosovë, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në varrin e ish-Presidentit Ibrahim Rrugova në Prishtinë dhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Pas homazheve mbi varrin e ish-Presidentit Rrugova, z. Meta u prit nga bashkëshortja dhe familjarët e z. Rrugova.
Gjatë bisedës, z. Meta shprehu vlerësimin e tij të madh për rolin dhe kontributin e pamohueshëm të z. Rrugova në historinë e Kosovës duke shprehur bindjen se tashmë vizioni i ish-Presidentit Rrugova po materializohet me një Kosovë të pavarur që po ecën përpara në konsolidimin e institucioneve të saj dhe në rrugëtimin e sigurt drejt integrimit evropian.Â
Më pas, Zv. Kryeministri bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz ku vendosi një kurorë mbi varrin e Komandantit legjendar të UÇK Adem Jashari.
Në vijim, Meta zhvilloi në vizitë në familjen Jashari ku u prit nga nipi i Adem Jasharit, z. Murat Jashari.
Ky i fundit, e falenderoi z. Meta për vlerësimin që i bëhet kujtimit dhe kontributit të familjes së tij për një Kosovë të pavarur.
Z. Meta vlerësoi sakrificat sublime dhe shpirtin vetëmohues të Adem Jasharit dhe familjarëve të tjerë për realizimin e aspiratave të shekullore të shqiptarëve të Kosovës, për një shtet të pavarur e demokratik që po konkretizohet në mënyrë progresive.
Gjithashtu ai shprehu kënaqësinë e tij për faktin se sot në Prekaz "kemi parë fytyrat e qeshura të fëmijëve të familjarëve të mbetur, si një simbolikë optimiste dhe shpresëdhënëse për të ardhmen evropiane të shtetit të ri të Kosovës".
a.b/e.r/NOA