Tiranë, 27 Nëntor NOA - "Çdo individ që ka kryer një krim do të vihet përpara përgjegjësisë. Priten të tjera ekstradime VIP drejt Shqipërisë në të ardhmen".
Ky ka qenë deklarimi i bërë një ditë pas ekstradimit të të shumëkërkuarit Aldo Bare, nga ministri i Drejtësisë Bujar Nishani duke folur këtë mbrëmje për argumentin e ditës në lajmet e kronikës.
I konsideruar si një sukses i padiskutueshëm ky ekstradim, si një prej me të kërkuarve për 20 krime të rënda, Nishani deklaroi se shumë shpejt në Shqipëri do të ekstradohen dhe emra të tjerë "Vip" të krimit.
Lidhur me vonesën 3-vjeçare të ekstradimit të Bares nga Turqia, ministri Nishani duke folur në televizionin Klan u shpreh se Bare kishte kërkuar nënshtetësinë turke, një procedurë kjo që mori kohë por që u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë turke pas shqyrtimit.
"Padyshim që është një sukses. Është një sukses në këndvështrimin e zbatimit të ligjit dhe për më tepër në funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Pasi, proçese të tilla natyrisht që bazohen në një sërë procedurash dhe institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri duhet t'i përgjigjen atyre standardeve që kanë të bëjnë me të gjitha konventat ku Shqipëria është palë, apo edhe me marrëveshjet reciproke dypalëshe të cilat realizohen në këto çështje" është shprehur ministri Nishani lidhur me procedurat e ndjekura për ekstradimin e të shumëkërkuarit Aldo Bare.
Më tej në prononcimin e tij, numri një i institucionit të drejtësisë ka shpjeguar edhe angazhimin që kanë pasur institucionet shqiptare për ekstradimin e Bares nga Turqia.
"Them që prej kohësh kjo çështje ka qenë në ndjekje në mënyrë mjaft të kujdesshme nga të gjitha institucionet që kanë qenë të përfshira në këtë proces, që nga Ministria e Brendshme përmes zyrës së Interpolit, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë përmes zyrave dhe agjencive përkatëse që kanë të bëjnë me shkëmbimin e marrëdhënieve juridiksionale me shtetet përkatëse në rastin konkret me Turqinë, por natyrisht edhe me kompletimin e gjithë dokumentacionit, që nga prokuroria e gjykata e me radhë" vijoi reagimin e tij ministri Nishani, një ditë pas ekstradimit të Aldo Bares, një prej arritjeve të Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas ministrit Nishani, si shteti turk, ashtu dhe institucionet respektuan kërkesat, por, edhe provat dhe argumentet që shteti dhe institucionet shqiptare paraqiti.
 "Ne ishim në pritje të gjykimit të marrë nga institucionet e shtetit turk. Në këtë rast ne kemi një gjykim ligjor krejt të hapur dhe korrekt nga të gjitha institucionet e shtetit turk, ashtu siç u realizua tashmë që një person i tillë, me një mal krimesh të kryera, është në duart e drejtësisë shqiptare, dhe ne presim tani që në bazë të ligjit ky person të përgjigjet përpara gjykatës për veprat kriminale që ka kryer" përfundoi z.Nishani.
e.r/NOA