English

Presidenti, mesazh urimi besimtarëve muslimanë për festën e Kurban Bajramit

Tiranë, 27 nëntor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e festës së Kurban Bajramit, përmes së cilit uron të gjithë besimtarët shqiptarë kudo ndodhen.

"Kjo ditë e shënuar e kalendarit islamik frymëzon tek secili besimtar mysliman ndjenjën e përulësisë ndaj të Plotfuqishmit, shprehjen e forcës së besimit dhe të shërbesës së lartë ndaj tij dhe çlirimin e shpirtit dhe të mendjes nga rëndesat e vështirësive të jetës së përditshme dhe të padrejtësisë njerëzore. Në këtë ditë të shenjtë e të rëndësishme për paqen, ripërtëritjen dhe begatinë tuaj shpirtërore, në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit dhe të sakrificës, por dhe të një çasti kremtimi për të gjithë ju besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ndodheni, dëshiroj t'ju shpreh urimet e mia më të mira dhe përzemërta. Gëzuar Festën e Kurban Bajramit! Lumturi, harmoni, begati, mirësi e dashuri paçi gjithnjë në familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Gëzuar Kurban Bajramin"! - shprehet kreu i shtetit shqiptar në mesazhin e tij urues ndaj gjithë besimtarëve muslimanë.

n.e/NOA

KOMENTE