English

Prifti: Qeveria do të ulë taksat e bizneseve

Tiranë, 27 nëntor NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti vizitoi sot Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group.

Gjatë gjithë vizitës në ambientet e Panairit, ai u shoqërua nga Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj.

I pyetur nga media mbi ndjesinë që i krijon ky Panair, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti tha se, "kam ardhur sot për të vizituar një nga panairet më të mëdha që zhvillohet ndonjëherë në Shqipëri nga shoqëria Klik Ekspo Group.

"Dua të uroj të gjitha bizneset dhe kompanitë që marrin pjesë në panair që të kenë suksese të tjera.

Qeveria me shoqërinë Klik Ekspo Group ka projekte të tjera. Do të punojmë për të bërë një qendër të re panairesh në Shqipëri, sepse ju e dini që Pallati i Kongreseve nuk e ka këtë funksion. Me ndihmën e qeverisë, bizneseve, partnerëve të huaj dhe shoqatave të biznesit do të ndërtojmë një qendër tërësisht të re panairesh për Shqipërinë" u shpreh Prifti.

Ministri Prifti deklaroi se, "biznesi grek në Shqipëri është konsiderohet nga qeveria shqiptare si shumë i rëndësishëm. Aktualisht, biznesi grek përfaqëson 50 % të investimeve të huaja në Shqipëri".

Në vijim, Ministri Prifti bëri një panoramë të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës theksoi uljen e vazhdueshme të taksave ndaj biznesit, duke i konsideruar më të ulëtat në Evropë.

"Ulja e taksave do të vazhdojë nga qeveria shqiptare, pavarësisht kostos që ka në buxhet. Vitin e ardhshëm, qeveria ka planifikuar të heqë TVSH-në për shërbimet shëndetësore dhe arsimin. Vitin e ardhshëm në shërbim të përmirësimit të klimës së biznesit do të ngrihet Qendra ose sporteli i vetëm për marrjen e licensave për investimet në energjetikë. Gjithashtu do të ndërtohet dhe një sportel i vetëm për licensat në sektorin minerar" tha më tej Prifti.

k.k/NOA

           Â

KOMENTE