English

PS: Berisha hiq dorë nga skenarët e 97, ndryshe do të mbash përgjegjësi historike

Tiranë, 27 nëntor NOA - Deputetët e Partisë Socialiste janë shprehur të revoltuar sot nga fjalimi i kryeministrit Sali Berisha dje në Kuvend.

"Ne, deputetët e Partisë Socialiste, të zgjedhur më 28 qershor 2009 nga votat e shumicës së shqiptarëve, në emrin tonë dhe si përfaqësues të votës së tyre, të shqetësuar nga thellimi i krizës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës, krizës politike dhe krizës ekonomiko-sociale të vendit, të revoltuar nga arroganca dhe tirania e shumicës ilegjitime dhe shurdhëria qeveritare ndaj situatës politike dhe nga vetë kriza mendore e kryeministrit" thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar sot nga Partia Socialiste.

Socialistët kanë dënuar gjuhën e krimit dhe të urrejtjes e cila sipas tyre shpalos konceptin që kryeministri i vendit ka për Kuvendin, duke shpërfytyruar foltoren më të lartë të përfaqësimit të popullit, e duke e kthyer Kuvendin e një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant të BE-së në një poligon për eliminimin e opozitës dhe si pronë e klaneve qeveritaro-mafioze me kryeministrin në krye.

Grupi parlamentar socialist ka hedhur poshtë me vendosmëri të gjitha kërcënimet dhe shpifjet, ndaj Kryetarit të PS, deputetëve dhe familjeve të tyre, kërcënimet ndaj mediave, biznesit dhe institucioneve të pavarura.

"Denoncojmë tentativat ogurzeza të Sali Berishës për ta vënë përfundimisht qeverisjen përballë me të qeverisurit, për të nxitur urrejtje dhe provokuar ndarje të forta partiake, krahinore dhe midis grupeve të militantëve, duke tentuar ta çojë vendin drejt përshkallëzimit të një konflikti me pasoja të paparashikueshme.

E paralajmërojmë Kryeministrin të heqë dorë njëherë dhe mirë nga gjuha dhe skenarët e vitit 1997, përndryshe do të mbajë jo vetëm përgjegjësi historike, por edhe përgjegjësi ligjore deri në fund.

I kujtojmë Sali Berishës dhe lakejve të tij politik të vjetër e të rinj, që të bëjnë kujdes për dhëmbët që u kanë rënë duke kafshuar territorin e Shqipërisë në dobi të Familjes së tij dhe interesave të tjera të errëta antikombëtare" deklaruar socialistët duke kërkuar nga Presidenti dhe të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, që të garantojnë për shqiptarët e të gjitha përkatësive politike transparencën e plotë të proçesit zgjedhor, për t'u dhënë fund manipulimeve mafioze të zgjedhjeve në Shqipëri.

Deputetët socialistë u shprehën të bindur se do të vazhdojnë protestat për hapjen e kutive.

k.k/NOA

Â

KOMENTE