English

Rama myslimanëve për Kurban Bajramin: Është dita e mendimeve dhe gjesteve të mira

Tiranë, 27 nëntor, NOA - Dita e Kurban Bajramit është dita e gjesteve të mira dhe fjalëve të mira, kur të gjithë dëshirojnë kenë vetëm mbarësi.

Të tillë e ka cilësuar festën e madhe të komunitetit mysliman, kryesocialisti Edi Rama, gjatë një prononcimi që ka dhënë për mediat menjëherë sapo ka dalë nga mjediset e Medresesë, ku ishte organizuar edhe një pritje me rastin e ditës së Kurban Bajramit.

"Unë u uroj që të gjithëve që të kenë mendime të mira, gjeste dhe e fjalë të mira kudo ku jetojnë", ka uruar publikisht të gjithë besimtarët muslimanë në këtë ditë të shënuar për ta, shefi i opozitës.

Më tej, ai ka shtuar se dëshiron që e mbarë të jetë kjo ditë, por dhe e nesërmja e gjithsecilit prej shqiptarëve.

Ndërkaq, ai nuk ka dhënë asnjë koment tjetër mbi zhvillimet politike në vend, apo edhe akuzat më të fundit që mbërritën në adresë të tij nga kryeministri Sali Berisha dhe nga foltorja e Kuvendit.

Ndoshta, duke respektuar këtë festë të madhe të myslimanëve, Rama ka dashur të heshtë ndaj këtyre argumenteve, të cilëve iu ka dhënë përgjigjen e fundit dje në mbrëmje mes një deklarate publike me të cilën i bëri të ditur kryeministrit Berisha vazhdimësinë e aksionit politik në emër të hapjes së kutive të votimit.

a.ymeraj/NOA

KOMENTE