Tiranë, 27 nëntor NOA - Dreka e Bajram Kurbanit e ka gjetur kreun e Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht liderin e opozitës Edi Rama, mes besimtarëve myslimanë, në një drekë të ofruar posaçërisht për ta, në sheshin tek "Partizani i Panjohur".
Pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman në kryeqytet, ku u ka përcjellë urimet e rastit krerëve të këtij komuniteti, Kryebashkiaku ka uruar përzemërsisht besimtarët myslimanë, përmes drekës së veçantë, të organizuar nga Bashkia e Tiranës.
Mes rreth 200 të ftuarve të mbledhur në këtë ditë të shenjtë, për të festuar Kurban Bajramin, kryesisht besimtarë myslimanë të shtresave në nevojë, Kryebashkiaku Rama ka uruar festën, duke e konsideruar këtë ditë si një ditë të ëndrrave dhe fjalëve të mira, si një ditë besimi dhe sakrifice për një jetë më të mirë, për ngjalljen e mirësisë dhe shpresës për të gjithë shqiptarët, por njëkohësisht edhe një ditë të paqes shpirtërore.
Duke iu drejtuar besimtarëve kryeqytetas, si dhe duke nënvizuar edhe njëherë harmoninë e plotë fetare që ekziston, jo vetëm në Tiranë, por në mbarë vendin, si shembull kuptimplotë i solidaritetit dhe tolerancës fetare, Kryetari i Bashkisë u shpreh:
"Të dashur miq, të moshuar dhe më të vegjël! Sot është një ditë gëzimi në një vend si qyteti ynë, kryeqyteti i Shqipërisë, ku të gjithë jetojnë në një harmoni të plotë fetare, si mishërim i shembullit të profetit Muhamet, që në natën e Isras u fal bashkë me të gjithë profetët e tjerë. Kurban Bajrami është dita kur Zoti i kërkoi profetit Abraham, të sakrifikonte djalin e tij dhe aq i madh ishte përkushtimi i profetit dhe të birit, sa e pranuan sakrificën, por në çastin e sakrificës, Zoti e hoqi djalin dhe vuri një dash. Këto janë ditë të kremtimit, të besimit dhe të gëzimit që sjell besimi deri në fund, në drejtësinë e Zotit. Këto janë ditë të urimit dhe të festës, këto janë ditë për të gjithë fëmijët e vendit tonë, që duhet të ndiejnë festën, këto janë ditë për të gjithë prindërit që duhet të festojnë dhe të cilëve duhet t'u kremtojmë dashurinë e pafundme që na kanë dhënë e na japin".
k.k/NOA