Prishtinë, 27 Nëntor NOA - Gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta u prit në Selinë e KFOR nga Komandanti i KFOR në Prishtinë, Lt. Gen. Markus Bentler.
Bentler e informoi Zv. Kryeministrin Meta për situatën aktuale në Kosovë dhe veçanërisht për rolin specifik të KFOR në garantimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në shtetin e ri.
Në këtë kuadër, ai ofroi një pasqyrë të gjerë të punës së KFOR në menaxhimin e sigurisë së kufijve të Kosovës, duke theksuar se tashmë, qytetarët kosovarë jetojnë në stabilitet dhe pa rreziqe ushtarake.Â
Gjithashtu, Bentler shprehu vlerësimin e tij për mbarëvajtjen e proçesit të zgjedhjeve lokale duke i cilësuar ato si një shenjë pjekurie për funksionimin e institucioneve. Gjithashtu ai shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen më të madhe të komunitetit serb në këto zgjedhje.Â
Zv. Kryeministri Meta, theksoi vullnetin e Qeverisë shqiptare për një Kosovë evropiane dhe demokratike si dhe për të mbështetur forcat e KFOR në misionin e tyre.
Gjithashtu, z. Meta theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së minoriteteve, veçanërisht atij serb, në strukturat institucionale dhe ato të sigurisë së shtetit të ri.
Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë që kanë për jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, standardet e sigurisë dhe funksionimi i mirë i institucioneve, pavarësisht dallimeve etnike dhe fetare.
a.b/e.r/NOA