Tiranë, 28 Nëntor NOA - Më shumë se 20 mijë flamuj u shpërndanë falas nga Partia Drejtësi dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj në aktivitetet madhështore të organizuara në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, si edhe në Prishtinë me rastin e Ditës së Flamurit.
Në Tiranë, në aktivitetin e organizuar në Urën e Vogël të Lanës, qindra qytetarë u mblodhën në orën 18:00, kur ishte dhe kulmimi i aktivitetit për të festuar Ditën e Pavarësisë.
Nën ritmin e muzikës popullore dhe të shoqëruar nga aktivistë të KPR-së të veshur me kostume popullore, të pranishmit festuan me flamurin kombëtar Ditën e Pavarësisë, poshtë 5 ekraneve ku paraqiteshin materiale nga Kosova, Çamëria, viset e tjera shqiptare dhe aktivitete të PDU-së.
Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi bëri thirrje për të festuar ditën më të rëndësishme të kombit dhe u kërkoi të gjithë bashkëkombësve të valëvisnin flamurin kombëtar në ballkonet e tyre.
Qytetarët që kishin ardhur për këtë festim, kalimtar të rastit dhe aktivistë të PDU-së dhe KPR-së vijuan festimet nën flamurin gjigant të vendosur mbi urë. Aktiviteti i PDU-së dhe KPR-së ishte i vetmi i organizuar për ditën më të rëndësishme të kombit në kryeqytetin shqiptar dhe në shumicën e qyteteve të vendit.
PDU, - siguroi Idrizi, - do të vijojë të rrisë aktivitetet me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit kombëtar dhe shpalosjen e ndjenjës kombëtare.
e.l/NOA