English

Edi Rama nga Vlora: Ky 28 Nëntor na gjeti në betejë për liri dhe demokraci

Vlorë, 28 nëntor NOA Update - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha sot në Vlorë, se ky 28 nëntor, e gjen shumicën e shqiptarëve në një betejë qytetare për liri dhe demokraci.

"28 Nëntori na gjen në një beteje qytetare, në një përpjekje për liri dhe të drejta, të fituara, të kërcënuara dhe të panegociueshme. Na gjen me vetëdijen e lartë se detyrimi ynë për mbrojtjen e votës së lirë për mbrojtjen e të drejtës për zgjedhje të lira është më i madh se çdo interes vetjak i secilit prej nesh.

Pa asnjë dyshim, se gjëja më e lehtë do të ishte të mbyllim sytë, por mbyllja e syve do të ishte tradhtia më e rëndë ndaj parimeve dhe vlerave për të cilat në luftojmë dhe për të cilat njerëzit na kanë votuar "- tha mes të tjerash kryesocialisti.

***

Rama më tej, përcolli nga qyteti i Vlorës, nga qyteti ku 97 vjet më parë u ngrit flamuri kuq e zi, urimin për festën kombëtare të Shpalljes së Pavarësisë.Â

 "Dua të uroj të gjithë qytetarët e Vlorës, gjithë shqiptarët kudo janë, të gjithë familjeve të Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë: Gëzuar 28 Nëntorin! Gëzuar festën e lavdishme të Flamurit dhe përvjetorin e paharrueshëm të Pavarësisë së Shqipërisë e shqiptarëve, si edhe gurin e themelit të shtetit shqiptar", - tha Edi Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste Rama së bashku me kryetarin e bashkisë së qytetit, Shpëtim Gjika ka vënë në kujtim të 97 vjetorit të Pavarësisë kurorën me lule në Memorialin e Ismail Qemalit, aty ku prehen eshtrat e njeriut të madh.

Lideri socialist theksoi se kjo ditë e shënuar, i gjen shqiptarët në një çast dramatik për shtetin.

"E vërteta është, se 28 nëntori i këtij viti na gjen në një moment jashtëzakonisht delikat për demokracinë. Na gjen në një kohë dramatike për shtetin e së drejtës, na gjen në një periudhë kur ekonomia shqiptare kërcënohet nga falimentimi. Na gjen në një moment ku opozita është jashtë Parlamentit dhe kur Parlamenti jashtë binarëve të Kushtetutës dhe ligjit, pasi është ngritur mbi shkeljen e lirisë dhe të drejtës themelore të votës së lirë dhe të numërimit të ndershëm të saj.",- tha ai duke shtuar urimin që "28 Nëntori i ardhshëm, shpresoj t'i gjejë edhe më mirë të gjithë shqiptarët".

***

Në këto ditë festash, Rama apeloi dhe njëherë se hapja e kutive është e domosdoshme, duke shigjetuar Kryeministrin Berisha, se është ai njeriu që mban peng të vërtetën.

"Kërkesa jonë për hapjen e kutive të 28 qershorit është një kërkesë për demokracinë reale funksionale. Është një kërkesë për lirinë dhe të drejtën e votës dhe të zgjedhjeve të ndershme. Është një kërkesë e cila bazohet në shqetësimin patriotik që Shqipëria të mos ketë më zgjedhje si ato të 28 qershorit apo si ato të tjerat para tyre, por të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme si çdo vend aspirant për BE".

Dua ta përsëris edhe këtu fjalën e protestuesit që më tha "Ne duam të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme mos vdesin nga e njëjta sëmundje", shtoi Rama, duke theksuar se është Sali Berisha që i friket kësaj autopsie.

Këtu ai kujtoi se ne kemi vendosur një afat, 10 ditor nga dita e mbylljes së protestës sonë të parë.

Kurse vazhdoi: "Nuk ka trembin, na bëjnë edhe më të fortë edhe më të vendosur, na bëjnë edhe më të kthjellët sulmet që fyejnë inteligjencën e shqiptarëve, që fyejnë çdo kënd në Shqipëri që di të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra".

Rama konsideroi se hapja e kutive është e domosdoshme. Berisha po mban peng të vërtetën.

"Sali Berisha i gjendur para faktit të rëndë se hapja e kutive të votimit e ballafaqon me një të vërtetë të cilës ai i ikën si "djalli i temjanit" ka vendosur të ngrejë një mal me baltë, për ta fshehur pas këtij mali të vërtetën që mban peng në kutitë e 28 Qershorit. Ka vendosur ta bëjë këtë duke kapërcyer çdo kufi dhe duke shkelur në çdo hap të vërtetën me një formë të përçudnuar të komunikimit me publikun"- u shpreh Rama.

Kryetari i PS, Edi Rama në ceremonitë e zhvilluara për 28 nëntorin në Vlorë shoqërohej dhe nga deputetët këtij qarku, Fatmir Toçi dhe Eltar Deda.

v.d.e/l/NOA

Â

KOMENTE