English

Forumet e biznesit në Klik Ekspo Group: Shqipëria, treg me interes të madh

Tiranë, 28 Nëntor NOA - Përgjatë ditës së dytë të Edicionit të 16-të të Panairit Ndërkombëtar janë zhvilluar një sërë takimesh dhe forumesh mes biznesit, Dhomave të Tregtisë të rajoneve të ndryshme dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore shqiptare.

Dita e dytë, në prani të sipërmarrësve hungarezë ka nisur me një forum biznesi. Në ambientet e hotel Rogner, organizuar nga Agjencia e Investimeve dhe Zhvillimit Tregtar të Hungarisë është zhvilluar forumi i sipërmarrësve. Në këtë forum morën pjesë ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, ai i Shqipërisë në Hungari, drejtuesit e Albinvest dhe biznese të rëndësishme të të dy vendeve.

Po kështu, në panelin e forumit ishte i pranishëm dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë Nikolin Jaka. Miqtë nga Hungaria vlerësuan me fjalët më të mira organizimin e Panair Ndërkombëtar nga Klik Ekspo Group.

Ministria e Ekonomisë e Hungarisë është mbështetësi kyç i Pavionit të Hungarisë, i cili rikthehet pas gati një 10-vjeçari në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, nxitur edhe nga nevoja për të shumëfishuar shpërndarjen e markave hungareze në tregun shqiptar, duke ofruar produkte të teknologjisë dhe cilësisë së lartë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka u shpreh se "marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Hungarisë kanë kaluar nëpër shumë sprova dhe tashmë kanë një përvojë që inkurajon zhvillime edhe më intensive në të ardhmen".

Sipas tij në këtë moment shkëmbimet tregtare midis dy vendeve nuk janë në nivelin që ne do të dëshironim.

"Në kuadrin e intensifikimit të të gjitha marrëdhënieve e shkëmbimeve në rajon dhe më gjerë, raportet bashkëpunuese po rriten edhe me Hungarinë. Sidoqoftë, ky bashkëpunim meriton të vijë tani në një dimension të ri, në ekonomi, në tregti, por edhe në përvojat institucionale".

Më pas, kryetari i Dhomës, bëri një prezantim të shkurtër të mundësive reale që ofrohen për biznes në vendin tonë me qëllim thithjen e investitorëve hungarezë në vendin tonë.

"Shqipëria është një vend me stabilitet politik dhe ekonomik, një vend që njohu rritje ekonomike të ndjeshme edhe në vitet e krizës më të fundit globale.

Reformat ligjore në fushën e tatim-taksave, të koncesioneve, të krijimit të zonave të lira ekonomike dhe vetë reforma strategjike rregullatore, po ndihmojnë në zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë në tërësi. Vendosja e taksës së sheshtë prej 10 për qind dhe suksesi i nismës "One Stop Shop", janë një garanci e madhe për zhvillimin dhe sigurinë e çdo biznesi, vendas dhe të huaj", ishin disa nga pikat që renditi Jaka.

Nga ana e tij, ambasadori shqiptar ne Hungari, Florian Nova bëri të qartë se Shqipëria i ka të hapura të gjitha mundësitë për investime konkrete nga hungarezët.

Ambasadori hungarez në Shqipëri, Molman Sandor, kërkoi që marrëdhëniet ekonomike të zhvillohen në një dimension të ri.

Sipas tij si qeveria hungareze dhe ajo shqiptare janë të gatshme të afrojnë të gjitha lehtësitë e mundshme që shkëmbimet tregtare të marrin një dimension real dhe mundësitë e investitorëve hungarezë të zhvendosen ne Shqipëri.

Më pas u prezantuan më në detaje mundësitë konkrete të Shqipërisë si dhe zonat kryesore industriale ku mund të investohet nga zv/drejtori i Albinvest, Bogova.

e.r/NOA

KOMENTE