Bruksel, 28 Nëntor NOA Update - Komisioneri i sapoemëruar për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fille (Shtefën Fuele), tha se është e domosdoshme që të vazhdojnë bisedimet për zgjerim dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë të hyjnë në BE, nuk do të mbeten anash.
Zoti Fille, që është nga Çekia, u tha mediave çeke, se Ballkani Perëndimor, së bashku me Kroacinë dhe Turqinë, janë vendet që ai do t'i vizitoj më së shpeshti, citon radio Evropa e Lirë.
Ai theksoi se edhe më parë ka qenë në "Kosovë, Serbi, Bosnjë Hercegovinë dhe në Kroaci".
Sipas tij, "nuk është momenti tani, për të supozuar se cili vend do të mund të bëhej anëtar i ardhshëm i BE-së".
Më herët, Kreu i Komisionit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka njoftuar zyrtarët e emëruar prej tij, si anëtarë të rinj të komisionit.
Komisionerët, një prej secilit vend anëtar, janë përgjegjës për propozimin e ligjeve të reja të BE-së. Tre postet më të mëdha ekonomike në Komisionin e ri evropian janë dhënë tre zyrtarëve me eksperiencë të gjatë. Ollie Rehn, që ka qenë që prej tre vjetësh komisioner për Zgjerimin, do të jetë komisioneri për çështje monetare. Joaquin Almunia do të mbikëqyrë konkurrencën duke lëvizur nga çështjet monetare. Ndërsa tregu i brendshëm, arritja për të cilën BE-ja është shumë krenare do të mbikëqyret nga politikani veteran Michel Barnier. Detyra e zotit Barnier ka të bëjë me çështjet e tregut të brendshëm përfshirë edhe reformat kryesore financiare në sektorët e shërbimeve. Emërimi i tij u kundërshtua fortë nga ana e britanikëve. Në komisionin e ri ka nëntë gra. Zgjerimi, një çështje shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë do të mbikëqyren nga zyrtari çek i propozuar Stefan Fule. Fule do të jetë i ngarkuar edhe me politikën e fqinjësisë së BE-së që kanë të bëjë me Ukrainën dhe ish republikat sovjetike. Komisioni i ri do të duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian në ditët e vitit të ri.