English

Para syve të Presidentit, "shteti" vret shtetin!

Banderolën e Qeverisë për ndryshimin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë nga 29 Nëntori, në 28 nëntor në sfondin e Universitetit të Tiranës e shikon çdo ditë Presidenti i Republikës, pasi e ka përballë dritares së zyrës së tij. Institucioni i Presidentit të Republikës e ka dekretuar këtë ligj, duke i dhënë fuqi zbatimi nga data 3 Nëntor 1997 e në vazhdim

Nga Av. Idajet Beqiri*

Kryetar i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë

Të gjithë në vendin tonë, nga i madhi, tek i vogli, nga intelektuali, te punëtori apo fermeri i thjeshtë, nga politikani më i lartë, te kryepleqtë e fshatrave, të flasin për domosdoshmërinë e ekzistencës dhe të respektimit të shtetit ligjor.

Madje të gjithë në Shqipëri kanë një mendim të përbashkët se, vendi jonë, mbeti i fundit aspirant për në BE, vetëm e vetëm se nuk ishte dhe ende nuk është në gjendje të ndërtojë shtetin e ligjit.

Shqipëria sot po përjeton një krizë të tmerrshme politike, institucionale, ekonomike, besimi, madje edhe identiteti moral, e cila ngjason shumë me fillimin e vitit të mbrapshtë 1997, vit i cili shënoi vrasjen e shtetit, katastrofën dhe kasaphanën e bërë në këtë vend nga mungesa e tij.

Opozita nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Ajo kërkon të hapen kutitë e votimit me qëllim që shqiptarët të verifikojnë vullnetin e tyre, është ai që kanë shprehur ata, apo e kanë deformuar komisionerët e të dyja palëve.

Qeveria e Berishës është e gatshme të bëjë gjithçka për të eliminuar bojkotin që opozita i bënë Parlamentit, përveç hapjes së kutive të votimit. Kutitë e votimit nuk mund të hapen kurrsesi, - thotë Qeveria, - sepse kështu ka vendosur Kolegji Zgjedhor me një vendim gjyqësor të formës së prerë. "Mbi ligjin, -ka deklaruar dhe vazhdon të deklarojë Kryeministri i Qeverisë, - nuk mund të dalim. " Kështu i thotë opozitës, kështu u thotë gjithë shqiptarëve, kështu u thotë ndërkombëtarëve!

Në sfondin e Universitetit Politeknik të Tiranës, në Sheshin "Nënë Tereza", 50 metra përball zyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Bamir Topi, është vendosur një banderolë shumë e madhe, e cila bie në sy edhe duke e parë nga Sheshi "Skënderbej", në të cilën shkruhet:

"28 Nëntor, 97 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe 65 vjetori i Çlirimit të Atdheut".

Qeveria e Berishës ka plotë 5 vjet që "de fakto" e ka hequr 29 Nëntorin si ditë të Çlirimit të Atdheut dhe si festë zyrtare.

Në përmbledhjen e akteve ligjore të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë në fuqi dhe nuk janë shfuqizuar, ekziston edhe Ligji Nr. 8253, datë 30. 10. 1997 "për një ndryshim në ligjin nr. 7651, datë 21. 12. 1992 "për festat zyrtare" ndryshuar me ligjet nr. 7770, datë 7. 12. 1993, nr. 7780, datë 22. 12. 1993 dhe nr. 8065, datë 8. 2. 1996".

Ne nenin "1" të këtij Ligji thuhet: "Në ligjin nr. 7651, datë 21. 12. 1992 "Për festat zyrtare", ndryshuar me ligjet nr. 7770, datë 7. 12. 1993, nr. 7780, datë 22. 12. 1993 dhe nr. 8065, datë 8. 2. 1996 neni 1, germa "c" ndryshohet si vijon: "c) 28 Nëntori, dita e Flamurit dhe e Pavarësisë është ditë e festës kombëtare". Pas germës "c" shtohet germa c/1 me këtë përmbajtje: "29 Nëntori, Dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesi nazifashist". Në nenin 2 të këtij Ligji thuhet: Ky ligj hyn në fuqi me dekretimin e tij nga Presidenti i Republikës. Shpallur me dekretin nr. 1954, datë 3. 11. 1997 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë"

Pra, sipas këtij Ligji, që është në fuqi, 29 Nëntori është Dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesi nazifashist dhe është festë zyrtare.

Mund të kemi mendime të ndryshme për Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, sikurse mund të kemi mendime të ndryshme për ligjin "Mbi trafikun ndërkombëtar të drogës". Askush nuk të pengon që mendimet t'i shfaqesh, në formën e lirisë së fjalës, si para, ose edhe pas hyrjes në fuqi të një ligji. Por askush nuk mund të guxojë të mos e zbatojë ligjin që ka hyrë në fuqi. Ndryshe shteti ligjor nuk toleron askënd nga ndëshkimi me tërë forcën e ligjit.

Lind pyetja, ku e gjen forcën Qeveria aktuale e Shqipërisë e cila e sfidon haptazi Ligjin Nr. Nr. 8253, datë 30. 10. 1997, në një kohë që ky ligj është në fuqi?

Në se ky ligj është jashtë realitetit dhe jashtë kohe, Qeveria të marrë nismën ligjore, të bëjë projektin dhe t'i kërkojë Parlamentit që ky ligj të shfuqizohet. Por deri sa ai është në fuqi, askush, qoftë ai Kryeministër, apo qoftë ai bariu i dhive të malit, nuk mund ta shkelin.

Banderolën e Qeverisë për ndryshimin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë nga 29 Nëntori, në 28 nëntor në sfondin e Universitetit të Tiranës e shikon çdo ditë Presidenti i Republikës, pasi e ka përballë dritares së zyrës së tij. Institucioni i Presidentit të Republikës e ka dekretuar këtë ligj, duke i dhënë fuqi zbatimi nga data 3 Nëntor 1997 e në vazhdim.

Të gjithë shtetasit e këtij vendi e shikojnë dhe e përjetojnë këtë maskaradë primitive, kur një Qeveri e tërë, si pa gjë të keqe, shkel një ligj konkret, sikurse është Ligjin Nr. Nr. 8253, datë 30. 10. 1997, ashtu siç shkel lopa, bajgën e vet në stallën ku ha, ku pi dhe ku nxjerrë fekalet, dhe nuk reagojnë ashpër.

Ndërkombëtarët në përgjithësi, përmes ambasadave të tyre të akredituara në kryeqytetin tonë, por në mënyrë të veçantë ata që na vëzhgojnë dhe që janë ngarkuar të na kontrollojnë se si i zbatojmë standardet e demokracisë për të merituar anëtarësimin në BE, këtë gjë e shohin. E shohin dhe bëjnë të çuditurën se si ka mundësi që një qeveri e tërë, si pjesa kryesore përbërëse e shtetit, e cila kërkon me këmbëngulje të anëtarësohet në BE, të shkel kaq në mënyrë flagrante ligjet e shtetit të saj!

Mjafton edhe ky fakt i vetëm për të rrëzuar të gjitha përgjigjet që do u japë Qeveria të 5000 pyetjeve që ka bërë Komisioni Evropian, para se të vendos pranimin, ose jo të Shqipërisë si kandidate për në BE. Mjafton ky fakt për të kuptuar se në këtë vend prirja për të ndërtuar shtetin e "shpellarëve" dhe jo shtetin ligjor, është tendencë qeveritare.

Mjafton edhe ky fakt që keqbërësit, kriminelët, mafiozët, vrasësit, të korruptuarit në këtë vend, kur ndodhen para organit të akuzës për t'u hetuar, apo para gjykatave të vendit për t'u dënuar për krimet që kanë kryer, të justifikojnë krimet e tyre duke thënë: "E ç'na kërkoni neve të mos shkelim ligjin, kur ato i shkel si pa gjë të keqe Qeveria e këtij vendi!"

Në se deri më sot nuk jemi anëtarësuar në BE, në se kemi mbetur vendi i fundit në Rajon pa arritur të realizohet liberalizimi i vizave për shqiptarët nga BE, me gjithë se këtë gjë e arriti edhe Serbia, autore e 4 luftërave gjenocidiste me pasoja katastrofale në gjithë Ballkanin, kjo është rrjedhojë e papërgjegjshmërisë së hierarkisë më të lartë të klasës politike dhe të qeverisë në vend, të cilët, për fatin e keq zgjidhen nga shqiptarët, për të dëmtuar interesat e tyre dhe të kombit të tyre.

Në Shqipërinë tonë të sotme, shteti vret vetveten dhe popullin e tij. Me "vetëvrasje" të tilla kundër ligjit dhe shtetit ligjor, në "unionin e shteteve të shpellarëve" mund të pranohemi, por në dyert e Evropës së qytetëruar askush nuk do të na afrojë!

(*) Dërguar nga autori. Pikëpamjet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të NOA

KOMENTE