Tiranë, 28 nëntor NOA - Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni tha sot se Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka trazuar dje shpirtrat e të gjithave grave dhe jo vetëm, me deklaratat ku mori në mbrojtje kryeministrin për fjalimin që sulmonte kreun e PS, Edi Rama.
Jemi të shokuar nga fakti se e vetmja vërejtje që Topalli kishte për fjalimin e dhunshëm të Kryeministrit, ishte - që ai fjalim nuk qe mbajtur më parë, - ka pohuar Gjermeni.
Ajo vlerësoi se Kryeministri cenoi në një fjalim të vetëm, gjyshe, nëna, gra, e vajza duke i dhunuar ato pikërisht në Ditët kundër Dhunës Gjinore, këto ditë që përkujtohen në mbarë botën duke e konsideruar këtë dhunë si shkelje të të drejtave të njeriut.
"Mjafton kaq, për të kuptuar se angazhimi i kryeparlamentares kundër dhunës ndaj grave nuk është një përpjekje reale për ta parandaluar edhe luftuar këtë dhunë", - tha Gjermeni dhe shtoi:
"Vetë dhuna e shprehur në institucione në vetvete, është edhe një faktor që ndikon në nxitjen e dhunës në shoqërinë shqiptare".
Për deputeten e re socialiste, shkelja e etikës parlamentare edhe përligjja e saj në emër "të tempullit të së vërtetës" e njollosin këtë institucion edhe përligjin faktin se më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk e gjejnë veten të përfaqësuar aty.
"Sot më shumë se dje jemi të bindur se kauza jonë është e drejtë", - konkludoi Gjermeni.
e.r/NOA