English

Rama-Berisha në pritjen e Topit, apeli: Opozita të futet në Kuvend

LAJMI RITRANSMETOHET ME FOTO

Tiranë, 28 Nëntor NOA - Presidenti i Republikës, në pritjen e mbrëmjes së sotme me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit, bëri thirrje për t'u bashkuar në dialog politik duke kërkuar drejtpërdrejt që opozita të futet sa më parë në Parlament.

"Përveç përpos urimeve do të uroja që të kishim një Kuvend ku sa qeveria, aq edhe opozita t'i përvisheshin punës për të ballafaquar opsionet e tyre politike në të mirë dhe në interes të vendit dhe të qytetarëve të tij".

Deklarata e Topit u bë ndërsa në pritje ishin të pranishëm personalitete të larta të shtetit dhe politikës, si kryeministri Sali Berisha, kryetari i PS, Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zv/kryeministri Ilir Meta, si dhe diplomatë të huaj.

***

Duke u ndalur më tej në festën kombëtare, Topi vuri në dukje se në historinë e njerëzimit, por sidomos në historinë e një kombi, ka data që kujtohen, tregohen e festohen, për të cilat flitet në mënyra e vlerësime të natyrave të ndryshme.

Por në kronikat e historisë së kombit shqiptar, - vijoi Topi, - 28 Nëntori është një datë e veçantë, është një datë që kujtohet, tregohet dhe na mbledh të gjithëve për të festuar sipas një mënyre të vetme, mënyrës shqiptare dhe kombëtare - ajo është Dita e Ringjalljes së Kombit Shqiptar.

Topi tha më tej se Dita e Flamurit, 28 Nëntori, është data që mblodhi të gjithë historinë e shqiptarëve në Vlorë, për ta bashkuar atë dhe për t'u treguar të gjithëve se kombi dhe interesat e tij, shteti dhe interesat e tij, populli dhe interesat e tij, Shqipëria dhe interesat e saj janë sublime, të shenjta dhe shumë, shumë më të rëndësishme se çdo interes, qëllim apo ambicie personale, klanore, familjare, e madhe apo e vogël, të asaj kohe në Shqipëri. Kurse vuri në dukje faktin se madhështia e kësaj date të shënuar qëndron pikërisht në faktin se të gjithë ata që u mblodhën në Vlorë më 28 Nëntor 1912, shumë të lumtur dhe krenarë, kishin vetëm një qëllim: Shkëputjen nga zgjedhja shumëshekullore otomane, krijimin e një Shqipërie të pavarur dhe ndërtimin e shtetit shqiptar të shekullit të XX-të.

Kjo datë e madhe në historinë e shqiptarëve u tregoi popujve të tjerë dhe qeverive të huaja se ky komb kishte tashmë një pronar, - tha Topi, por në të njëjtën kohë, - vijoi ai, - u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që më shumë se kurrë ky komb kishte nevojë që ata të kapërcenin të gjitha pengesat, ndryshimet që i ndanin, qofshin ato politike, fetare apo krahinore dhe të bashkoheshin për të dashur dhe respektuar njëri-tjetrin në ato çaste sa festive, aq edhe të vështira për mbijetesën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Duke lënë të kuptohet se lipset dialog politik, Topi theksoi se sot, 97 vjet më vonë, ne jemi mbledhur këtu për të festuar këtë datë të shënuar dhe për të nderuar e lartësuar frymën dhe shpirtin e bashkimit që plaku i mençur, Ismail Qemali, dhe të gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare hodhën në letër dhe në zemrat e shqiptarëve, si dhe për të respektuar mundin e kontributin e tyre që fituan Pavarësinë e Shqipërisë së dashur.

Këtu Presidenti evidentoi faktin se Shqipëria sot nuk është ajo e vitit 1912, as ajo e viteve '90-të, por theksoi se sfidat dhe përgjegjësitë e saj janë sërish të mëdha dhe sqaroi:

"Ato janë sfidat e të ardhmes, sfidat e demokracisë, sfidat e lirisë dhe të mirëqenies, sfidat e integrimit".

Në këtë pikë, Topi Shqipëria ose më mirë të gjithë ne, duhet të tregojmë se ashtu si, së bashku, përballuam vështirësitë e viteve të para të demokracisë në Shqipëri, filluam reformat e përmbysjeve të mëdha politike, ekonomike e sociale, ndërtuam marrëdhënie të reja me vendet aleate dhe mike, bashkërenduam me sukses zërin e pazëvendësueshëm shqiptar në sfidat rajonale, ndërtuam një Shqipëri, anëtare të NATO-s, fituam besimin e Bashkimit Evropian, ashtu ne jemi të aftë, të mençur dhe të përgjegjshëm të çojmë përpara, drejt Evropës së Bashkuar, vendin tonë të dashur Shqipërinë.

e.r/NOA

KOMENTE