Strugë, 28 nëntor, NOA - Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik prof. dr. Gudar Beqiraj, shoqëruar nga zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, Nora Malaj, bashkë me shoqëruesit e tyre dhe kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, vizituan varrezat muslimane të qytetit të Strugës, u falën dhe bënë homazhe pranë varrit të Qazim bej Qemalit.
Nga ana e tij, kryetari i ASHA të Shqipërisë, Akademik Gudar Beqiraj, shprehu gatishmërinë, për një nismë të procedurës, së tërheqjes së eshtrave të Qazim bej Qemalit nga varrezat muslimane në Strugë, për ti rivarrosur në vendin e merituar, në Kaninë të Vlorës në Shqipëri. Këtë ide e ka mbështetur edhe stërnipët e Ismail Qemalit, prof. Nedim Vlora, Darling Vlora, si dhe fëmijtë e birësuar të Qazim bej Qemalit, Edibe, Edip, Dashman dhe Hyrmete Ohri.
Qazim bej Qemali, është një nga gjashtë djemtë e Ismail Qemalit, që asokohe ishte jo vetëm djalë, por edhe dora e djathtë e Ismail Qemalit, sekretar i tij personal, truproje dhe shef i kabinetit. Ai jetoi në Strugë, nga viti 1935, deri në dhjetor të vitit 1953, kur ndërroi jetë në vetmi, në shtëpinë e cila edhe sot është e pandryshuar, por pa asnjë shenjë apo shënim.
NOA-INA