Prespë, 28 nëntor, NOA - Pritej shumë që nga takimi midis dy kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Gruevski dhe Jorgos Papandreu të arrihej ndonjë progres rreth negociatave për çështjen e emrit, por duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Vetë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka deklaruar menjëherë pas takimin me homologun e tij grek, se Greqia nuk heq dorë nga qëndrimet e saj të deritanishme për çështjen e emrit të vendit të tij.
"M'u deklarua se qeveria greke mbetet në pozicionet e saj për emrin dhe identitetin, të cilat i kishte prezantuar me anë të negociatorit të saj në SHBA, prandaj nuk mund të them se ka ndonjë progres", komentoi Gruevski pas takimit të tij me Papandreun.
Duke shtuar se gjithsesi, në takimet e njëpasnjëshme do të ketë një arritje patjetër në një konkludim të përbashkët mes palëve.
Nga ana e tij, kryeministri grek, Jorgos Papandreu theksoi se Greqia i mbetet qëndrimit të saj për gjetjen e një emri të ri të Maqedonisë, i cili të tregojë përmbajtje gjeografike në vetvete, duke mbështetur në këtë mënyrë variantin e propozuar prej Greqisë me emrin "Maqedonia Veriore".
n.e/NOA