English

Topalli në festimet e 28 Nëntorit: Skënderbeu luftoi që ta çonte Shqipërinë në Perëndim

"Ne e dimë, që në shekuj shqipet për vetë natyrën e tyre fluturonin të pashoqëruara. Kështu ishte dhe kur Princi i lirisë Skënderbeu luftonte për bashkimin e shqiptarëve, për t'i orientuar drejt perëndimit"

Tiranë, 28 Nëntor NOA - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, së bashku me krerët e lartë të shtetit bëri sot homazhe dhe vendosi kurora me lule në varrezat e dëshmorëve, për të përkujtuar 28 nëntorin, këtë datë të shënuar të historisësë Kombit.

Në kuadrin e veprimtarive festive, Topalli mbajti dhe një fjalim ku vlerësoi se më 28 Nëntor 2009 ne nderojmë sakrificën e virtytin e bijve të shqipes, kujtojmë 28 Nëntorin 1443, 28 Nëntorin 1912 e deri më sot, për të ardhur në përvjetorin e këtij viti.

"Ne e dimë, që në shekuj shqipet për vetë natyrën e tyre fluturonin të pashoqëruara. Kështu ishte dhe kur Princi i lirisë Skënderbeu luftonte për bashkimin e shqiptarëve, për t'i orientuar drejt perëndimit"

"Kështu ishte në 28 Nëntor 1912, kur plaku i Vlorës bashkoi përsëri burrat dhe ngriti lart flamurin shqiptar. Sot shqipet nuk fluturojnë më të pashoqëruara, sot ato janë bashkë në Evropë".

Më tej Topalli aktualizoi: "Një vit përpara, - tha Topalli, - kur kujtonim dhe festonim 28 Nëntorin, ditën e Flamurit, Shqipëria nuk ishte anëtare e NATO-s, sot Shqipëria është anëtare e NATO-s".

"Në 28 Nëntor 2008, - vijoi ajo, - Shqipëria nuk kishte ok për kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat, sot në 28 Nëntor 2009, Shqipëria është pranuar në kërkesën e saj".

***

Topalli vendosi një kurorë me lule në monumentin "Nënë Shqipëri", dhe tha se nderon kujtimin e të rënëve për pavarësi, në këtë 28 nëntor kur Shqipëria është shumë pranë realizimit të ëndrrës evropiane.

Më pas, kryetarja e Kuvendit u takua me familjarë dhe të afërm të të rënëve për pavarësi, duke shprehur bashkë me ta kënaqësinë se ky 28 nëntor e gjen Shqipërinë në një vit historik; anëtarësimi në NATO dhe pranimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

e.r/NOA

KOMENTE