English

Vrasje në qendrën historike të Firences, identifikohet shqiptari, punonjës i UNICEF

Autori ka dashur t'i marrë jetën dhe të riut tjetër, veçse në atë moment, pistoleta ka ngecur duke mos bërë dot shkrepje

Firence, 28 Nëntor NOA Update - Një i ri shqiptar, punonjës në vite i UNICEF, mbeti i vrarë sot pasi u qëllua me armë zjarri në Firence, Itali, informon korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA.

Viktima është Dionis Hoxha, 29 vjeç, shtetas shqiptar, emigrant prej disa kohësh në Itali.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur Hoxha u qëllua me një plumb në gjoks dhe ka ndërruar jetë në orën 4:15 minuta të mëngjesit të së Shtunës në spitalin Karexhia, ku ishte transportuar me autoambulancë.

Vrasja ndodhi në sheshin San Pier Maggiore, të zonës Arco të San Pierinos, në qendrën historike të Firences.

Nga hetimet e para, policia tha se janë dy shqiptarë, autorë të krimit, kurse motivet janë ende të paqarta.

Paraprakisht dyshohet për një larje hesapesh, por i ndjeri nuk kishte dosje penale në policinë italiane.

Shefi lokal i policisë, Filippo Ferri tha se ka nisur kërkimet për dy autorët e vrasjes, por ende nuk është lokalizuar vendndodhja e tyre.

Dëshmitarët në vendngjarjen që ju shihni në foto, thanë se viktima Dionis Hoxha gjendej me një shok gjithashtu shqiptar, në orën 02.30 të ditës së sotme, kur u ndesh me vrasësit, gjithashtu dy shqiptarë.

Një nga autorët mbante në dorë një pistoletë dhe në një çast, hapi zjarr duke plagosur rëndë 29-vjeçarin Hoxha.

Por autori ka dashur t'i marrë jetën dhe të riut tjetër, veçse në atë moment, pistoleta ka ngecur duke mos bërë dot shkrepje.

I riu që i mbijetoi vrasjes, deklaroi në polici se viktima Dionis Hoxha, kishte punuar si punonjës i UNICEF-it, ai ishte një njeri korrekt dhe pa probleme me rendin.

r.b/e.l/NOA

KOMENTE