Flamuri për një popull a komb është sikurse pasqyra. Aty shihesh si dukesh, dhe me atë përshtypje që bëhet thelbësore për identitetin, hyn në marrëdhënie me të tjerët
Nga Albin Kurti
Institucionet e Kosovës nuk e kanë për zemër 28 Nëntorin. Të kuqen e kanë zëvendësuar me të kaltrën. Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është 17 Shkurti ai që festohet më së shumti. Mijëra nxënës nxirren në rrugë me pelerina të kaltra. 28 Nëntori festohet kryesisht privatisht. Thuajse jemi ende në ‘vitet e arta' të Jugosllavisë. Në nenin 2 të Ligjit për festat zyrtare të Republikës së Kosovës 28 Nëntori nuk figuron askund. Aty e kemi Ditën e Evropës, por jo edhe Ditën e Shqiptarëve. I kemi dy bajrama, dy krishtlindje e dy lloj pashkësh, por jo edhe 28 Nëntorin. Ndërkohë që ky nen i përcakton festat "Duke pasur parasysh respektimin e historisë, kulturës dhe të traditave, të popullit të Kosovës dhe të shtetasve të saj". Nëse kështu respektohen historia, kultura e tradita, atëherë bëhet i pamundur definimi i mohimit të tyre. 28 Nëntori në këtë ligj figuron më vonë. Te neni 5 kjo datë cilësohet si ‘ditë e shqiptarëve' (tamam si në kohën e Jugosllavisë kur shqiptarët konsideroheshin pakicë kombëtare) dhe nën titullin ‘ditët memoriale' (a thua se shqiptarët janë diç e shkuar që megjithatë ia vlen t'i kujtosh). Ditë memoriale porsi shqiptarët kanë edhe turqit, romët, ashkalinjtë, boshnjakët e goranët. Për serbët, Qeveria e Republikës së Kosovës parashihet të konsultohet me Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili më tutje, duhet të konsultohet me serbët për dy ditë memoriale të tyre. Flamuri i Kosovës ngjan si një mishërim sublim i tërë projektit për Kosovën. Ky flamur është gjithsesi jodemokratik (sikurse sundimi i protektoratit ndërkombëtar me Kosovën). Për të nuk pati referendum dhe madje as debat në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e miratuan flamurin në momentin kur po e shihnin atë për herë të parë. Zaten, ish ambasadorja amerikane Tina Kaidanow e dinte mirë që po të lejoheshin njerëzit të mendojnë ca për flamurin e ri assesi nuk do ta aprovonin atë. Sepse ky flamur kishte dy ngjyra të flamurit të Serbisë (të kaltrën dhe të bardhën) dhe asnjërën të atij kombëtar shqiptar (as të kuqen, as të zezën); sepse ky flamur e kishte hartën në të ashtu siç e ka vetëm edhe Qiproja e ndarë (ku figura simbolike shërben si kompensim psikologjik për realitetin e munguar); dhe, sepse ky flamur kishte saktësisht ngjyrat e Bosnjes jofunksionale (dhe gjithnjë nën protektorat ndërkombëtar). Përgjithësisht, institucionet e Kosovës përpiqen që flamurin kombëtar shqiptar ta evitojnë sa më shumë dhe më së shumti e përdorin atë pranë flamurit të Kosovës për t'ia bërë popullatës më të durueshëm këtë të dytin. Kështu ishte edhe në manifestimin në fshatin Zabërgjë, me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Zonës Operative të Shalës. E mbaj mend që një ish komandant i UÇK-së, i ulur pranë meje, sa për ta nisur bisedën, më tha se këtu bëka mot shumë i ftohtë. Meqë tash ishte shndërruar në politikan me kostum të lëmuar, i propozova që ta shikojë flamurin kombëtar shqiptar sepse ai e ngroh, dhe se të ftohtit me siguri i vjen ngaqë ia kishte ngulitur sytë flamurit të Kosovës. Nuk mund ta paramendoj një flamur tjetër i cili do të ishte kaq i largët me atë kombëtar shqiptar sikurse që është ky i Kosovës (i kontrabanduar në po të njejtën seancë parlamentare kur u shpall pavarësia). Jo vetëm në domenin e temperaturës (ngrohtë-ftohtë), por edhe në atë të ndriçimit, hapësirës dhe identifikimit. Yjet në flamurin e Kosovës janë të bardhë e të zbrazët - jo të artë sikurse, ta zëmë, në flamurin e BE-së - gjë që e bën të kaltrën të duket edhe më e mbyllët, dhe flamurin e Kosovës të bëhet flamur i natës e i territ, jo i ditës e i shndritjes. Në vend të yjeve të arta, flamuri i Kosovës e ka të artë territorin e Kosovës. Pra, Kosova portretizohet si e artë aty: e pasur, e gatshme për ta eksploatuar, madje thuajse të thërret që ta eksploatosh. Flamuri kombëtar shqiptar dhe ai i Kosovës janë të kundërt sikurse e pakufijshmja me të kufijshmen. Gjersa shqiponja në flamurin kombëtar shqiptar i shtrin krahët dhe thuajse shenjon pafundësinë, harta e Kosovës në flamurin e Kosovës shenjon kufirin, përkufizimin e kufizueshmërinë. Ky kufi i Kosovës jo vetëm që ua tregon maksimumin teorik shqiptarëve të Kosovës, por edhe ua rrudh atyre përfytyrimin për veten. Flamuri për një popull a komb është sikurse pasqyra. Aty shihesh si dukesh, dhe me atë përshtypje që bëhet thelbësore për identitetin, hyn në marrëdhënie me të tjerët. Së fundi, gjashtë yjet në flamur synojnë t'iu tregojnë shqiptarëve të Kosovës se ata janë 1/6 në këtë vend, se ata janë veçse njëri nga gjashtë komunitetet, ani se ata janë rreth 93% të popullsisë në Kosovë, duke ua ushqyer kësisoj shqiptarëve inferioritetin aq të nevojshëm për t'i sunduar ata. Po them rreth 93 për qind e jo ndonjë shifër të saktë meqenëse në Kosovë nuk ka pasur regjistrim të popullsisë që prej vitit 1981. Të gjithë ministrat e pasluftës të Ministrisë së Shërbimeve Publike e kanë pranuar që shtyrja e vazhdueshme e regjistrimit të popullsisë në Kosovë është vendim politik ndërkombëtar. Më në fund, duket që u caktua pranvera e vitit 2011 për ta bërë regjistrimin. Nga një zyrtar i afërt me procesin përgatitor kam mësuar që për regjistrimin e ardhshëm është diskutuar edhe mundësia që njerëzit në Kosovë të mund të deklarohen edhe kosovarë e muslimanë. Natyrisht që nuk do të ketë serbë që deklarohet të tillë. E gjithë kjo iu dedikohet shqiptarëve. Dhe, e gjithë kjo është në funksion të fillimit të fjalisë së parë të Planit të Ahtisaarit në nenin 1.1: "Kosova do të jetë shoqëri multietnike...". Pra, konsiderohet që Kosova nuk është shoqëri multietnike, por duhet të bëhet e tillë. Me 90 e ca përqind shqiptarë, koncepti i multietnicitetit s'mund të jetë i qëndrueshëm, prandaj dikush edhe mendon që shqiptarët e shumtë t'i ndajë në tri kategori: shqiptarë, kosovarë dhe muslimanë. Tërë këtë ndërmarrje e bën edhe më të dyshimtë deklarimi i zëvendësshefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë i cili tha se vendorët nuk janë të aftë që ta bëjnë regjistrimin e popullsisë në Kosovë, andaj këtu do të përfshihen edhe ndërkombëtarët me mbi 50 për qind të buxhetit (për një ndërmarrje që do të kushtojë jo më shumë se 10 milionë euro!) dhe, si zakonisht, edhe me kuadro. Atë që s'ka mundur ta bëjë Serbia për më shumë se një shekull dhe me të keq, po synojnë ta bëjnë shumë më shpejt në këtë shekullin e ri, veçse, kësaj radhe me të mirë. Me neve po bëhen eksperimente të papara. Mbase për shkak se askund ato nuk kushtojnë kaq lirë sikurse në Kosovë. Asnjë elitë politikë e intelektuale në Evropë nuk lejon që të luhet me popullin siç lejon kjo jona. Nën sulm janë të dyja: ana jonë materiale, por edhe ajo shpirtërore.Â