Nga Milena Selimi
Tiranë, 29 Nëntor NOA - Për të pestin vit radhazi do të festohet më 29 nëntor përgjatë 24 orëve, Nata e Bardhë, një ngjarje e pritshme, tashmë traditë në kryeqytet, në kujtim të ditës së çlirimit të vendit nga pushtimi gjerman.
"Nata e bardhë", është një aktivitet i organizuar dhe i vendosur nga bashkia, e cila ka parashikuar një numër të madh aktivitetesh për festimin e "Natës së Bardhë" më 29 nëntor. Kjo datë, është vendosur nga Bashkia e Tiranës, që të jetë një natë festive për të gjitha moshat, duke filluar nga paraditja e deri në orët e vona të mesnatës.
Mendohet të jetë një natë e mbushur me aktivitete artistike, sheshe me zjarre partizane, një gjallëri në sheshe dhe rrugë ku do të spikasin një sërë aktivitetesh me grupe muzikore, letrare, sportive, aktivitete krijuese në pikturë, etj.
"Nata e Bardhë, natë me zhurma, me drita dhe ngjyra, natë e mbushur me art dhe pasion, natë kulture dhe spektakli, natë plot jetë dhe me plot eksperienca për t'u ndarë me miqtë dhe me dikë pranë nesh që në këtë natë na shtrin dorën, në një këmbim të vazhdueshëm që kërkon që të dialogojnë brezat, kombësitë dhe pikëpamjet, për një ballafaqim që sjell rritjen dhe zhvillimin.
Nata e Bardhë, një natë ndërkombëtare, që lidh Tiranën-kryeqytetin shqiptar me Parisin, Brukselin, Amsterdamin, Madridin, Rigën, La Valletta, Tel Avivin, Lisbonën, Toronton dhe Miamin",- kështu e ka cilësuar Bashkia e Tiranës këtë ditë të rëndësishme, që merr vlerë edhe në vitin e pestë të festimeve.
Bashkia e Tiranës e ka cilësuar këtë ceremoni, si një manifestim falas që i jep përparësi krijimtarisë dhe vlerësimit të artit, duke i dhënë vëmendjen e duhur zhvillimit të kulturës, apo veprave, për ta kthyer artin në pasuri të të gjithëve.
Nata e Bardhë do të quhet zyrtarisht e hapur nga Banda Frymore e Tiranës, të cilët në orën 16.00 do të fillojnë ritualin e marshimit, duke nisur udhëtimin e tyre nga sheshi Nënë Tereza, për të ndalur në fund të itinerarit në sheshin "Skënderbej".Në orën 17:00, Nata e Bardhe do të rezervojë një nga momentet e saj më të veçanta. Për gati një orë, qytetarët e Tiranës do të mirëpriten nga kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Edhe në këtë vit, si çdo vit tjetër nuk do të mungojnë koncertet madhështore, përgjatë gjithë natës.
Në sheshin "Skënderbej", në shkallët e Pallatit të Kulturës do te zhvillohet koncerti i përvitshëm me muzikë të lehtë, moderne e turbo-folk , me këngëtarë të njohur në mbarë trevat shqiptare.
m.s/e.r/NOA