Fjalë për fjalë, nacional-çlirimtare domethënë se komb shqiptar të liruar rrënjësisht (i çliruar) nga pushtuesit. Që këtu ky emërtim ngec, sepse kombi shqiptar nuk mbaron tek Ura e Shirokës në Shkodër dhe të pranosh një ditë të tillë do të thotë të pranosh Shqipërinë e cunguar
Nga Saimir Lolja*
Po bëhen 20 vite që vazhdon një ndarje midis njerëzve nëse dita e festës së ç/lirimit duhet të jetë 28 apo 29 Nëntori. Përçarja shtrihet që nga dy shqiptarë të kudondodhur në botë që diskutojnë për këtë "datë" e deri tek majat politike të shtetit zyrtar shqiptar. Vetëm fakti që kjo festë qeveritare (jo kombëtare, jo e përbashkët, jo e të gjithëve) sjell vetëm përçarje e grindje dhe aspak bashkim e respekt njerëzor, nënkupton që ajo "datë" nuk duhet të festohet. Më poshtë do të shtjellohen arsye të tjera pse nuk mund të ketë një festë të tillë në Shqipërinë zyrtare.
Fjalë për fjalë, nacional-çlirimtare domethënë se komb shqiptar të liruar rrënjësisht (i çliruar) nga pushtuesit. Që këtu ky emërtim ngec, sepse kombi shqiptar nuk mbaron tek Ura e Shirokës në Shkodër dhe të pranosh një ditë të tillë do të thotë të pranosh Shqipërinë e cunguar. Me sa duket rolet e aktorëve politikë janë ndarë si më poshtë: "ato që quhen më të majtë" thonë që nazistët e kaluan urën më 29 nëntor 1944 në orën 00:15 të natës/mëngjes; "ato që quhen të majtë" thonë që e kaluan urën më 28 nëntor 1944 në orën 11:45 natën! Dokumentet e dorëzuara nga gjermanët në Ministrinë Mbrojtjes së Shqipërisë zyrtare tregojnë se forcat naziste ishin aty edhe më tej se 29 Nëntori dhe kur ikën në dhjetor ikën sipas planit të tyre.
Me fillimin e Luftës II Botërore në Europë më 7 Prill 1939, Shqipëria ishte pjesë e teatrit luftarak, donin apo nuk donin njerëzit e saj. Nëse hidhet vështrimi mbi shtetet e tjera që u përfshinë në Luftën e II Botërore (jo luftërat kombëtare-çlirimtare, siç propagandohet akoma në Shqipërinë zyrtare), mësohet menjëherë që nuk ka shtet që ta festojë ndonjë ditë të tillë "të Çlirimit". Bie fjala, Bashkimi bolshevik Sovjetik humbi 26 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore dhe do i takonte atij në radhë të parë të festonte një festë të tillë; por ai NUK pati apo ka festë të tillë! Ajo që ekziston dhe festohet nga të gjithë është 9 Maji, si dita e fitores kundër fashizmit. Meqenëse Shqipëria ishte pjesë e shteteve që në aleancë luftuan fashizmin, atëherë edhe duhej të festonte bashkë me to fitoren kundër fashizmit. Shumë e thjeshtë dhe shumë thjesht.
Heqje e "ditës së ç/lirimit" nuk do të thotë që të mos respektohen ato që humbën jetën në luftërat e zhvilluara në Shqipëri në të gjitha kohërat, përfshirë edhe dëshmorët e rënë dhe të plagosurit deri në Vishegrad. Si kudo, për një respekt madhor e qytetar ndaj të Rënëve në luftëra ekziston një ditë e quajtur Dita e të Rënëve në Luftë. Për t'u shënuar është 11 Nëntori që përkujtohet në Evropën qendrore e perëndimore dhe Amerikën e veriut. 11 Nëntori përkujton dhe nderon humbjet e jetës, të ushtarakëve dhe qytetarëve, në kohë luftash. Kjo ditë e ka origjinën nga çasti i nënshkrimit të mbarimit të Luftës I Botërore prej ushtrisë gjermane në orën 11 të datës 11 të muajit të 11të (Nëntorit) të vitit 1918. Një gjë e tillë akoma po mungon në Shqipërinë zyrtare. Të rënët ndër luftëra, pavarësisht se në cilin "anë" kanë qenë, pavarësisht se si ngjyrosen nga fituesit e luftës, i ka pas marrë me vete rryma e luftës e cila nuk përcaktohet nga njeriu i veçantë. Të rënët në lufta, ushtarë e qytetarë, kanë qenë njerëz me të drejtën natyrore për të jetuar, prandaj edhe nevojitet me i përkujtuar pa dallim.
Ç'do të thotë pushtues? Përgjigjen e jep historia shqiptare që nga fillimi i 1945: dërgimi jashtë Shqipërisë i pasurive kombëtare, pushtimi i tokave, prishja e raporteve dhe vendndodhjeve shoqërore, rrethimi me tela me gjemba i Shqipërisë (në bashkëpunim me të huajt), humbjen e plotë të lirisë, zbatimin mizor të "luftës së klasave", persekutimet masive të njerëzve, humbjen e të drejtave, internimet, burgosjet e pushkatimet, grabitja e pronësive dhe pasurive të tundshme e të patundshme sipas një plani të paramenduar me etapa për zhdukjen e pronësisë private biles edhe në mendjet e njerëzve.
Prandaj: Nuk mund të festohet një ditë që shënon fillimin e plotësimit të dëshirës së akademikut serb Çubriloviç të shprehur në Memorandumin tij famëkeq të botuar më 1937: "…por më e keqja akoma është të mësuarit e Shqiptarëve me idetë Europiane perëndimore të pronës private....".
Nuk mund të jetë festë mbarëkombëtare dhe e përbashkët një festim qeveritar që mbart në vetvete luftën dhe përçarjen midis shqiptarëve (A ka vend këtu për mburrje?!), e cila filloi me tradhtinë e madhe kombëtare: prishjen e Marrëveshjes së Mukjes dhe Kuvendit të Bujanit nën udhëzimin e drejtpërdrejtë të komunistëve bizantinë që themeluan PKSH. Data 29 Nëntor u bë festë e Shqipërisë zyrtare që të përkonte në të njëjtën ditë me festën ndërkombëtare të Jugosllavisë, e cila e përkujtonte 29 Nëntorin e vitit 1943, datën kur u mbajt në Jajcë Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), si datë e shënuar kur u hodhën themelet organizative të shtetit jugosllav të pas luftës. Vendimet e AVNOJ u kopjuan në Shqipëri pas disa muajsh në Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944.
Nuk mund të festohet një ditë e cila qëllimisht, sidomos gjatë viteve 1945-1990, u propagandua aq më fort se dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë së Vërtetë më 28 nëntor 1912, sa që historia para 8 Nëntorit 1941 u venit fare dhe u quajt e keqe.
Nuk mund të festohet një ditë që rrjedhimisht pranon një Shqipëri të copëtuar dhe nga e cila rrodhën tradhtisë ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, p.sh. çarmatimi shqiptarëve të Kosovës gjatë kthimit nga Vishegradi, masakra e Tivarit, etj., dhe mbyllja e çështjes Çame duke i bëri qytetarë të Shqipërisë zyrtare çamët e përzënë nga grekërit.
Nuk mund të festohet një ditë që shënon fillimin e diktaturës absolute, prishjen e burimeve natyrore, futjen e njerëzve për të banuar nëpër kapanone me kate, prishjen e qyteteve dhe trashëgimisë qytetare, ngritjen pa të ardhme të ndërtimeve të reja; fillimin e gënjeshtrave të lugëve të florinjta më 1945, se një pesëvjeçar pune ishte një hap drejt parajsës barazitiste (e cila ishte të paktën 1 km larg), e duke vazhduar me çekun e bardhë më 1991 me ardhjen në pushtet të komunistëve të rinj.
Shënim: Pikëpamjet e autorit nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të agjencisë NOA