Përgjigja në pyetjen e titullit të Editorialit, është shumë e thjeshtë, nëse konceptualisht dhe juridikisht Kosova është shtet i pavarur, e ka flamurin e saj shtetëror.
Dynënshtetësia me Kushtetutën aktuale të Kosovës u lejohet vetëm multietnikëve që quhen serbë, por jo edhe multietnikëve që quhen shqiptarë.
Por, konceptualisht, a mund të kuptohet kjo se shteti i Kosovës për të qenë i pavarur detyrohet të shkëputet nga tradita historia dhe e kaluara e tij, jo më shtetërore, por nacionale?
Sidoqoftë, nëse edhe kjo kërkohet, atëherë pse kjo të kërkohet vetëm prej shqiptarëve multietnikë e jo edhe nga serbët multietnikë. A është e mundur që ligji (Kushtetuta) ta konsiderojë delikt politik kremtimin e festive nacionale, kur ato nuk janë shtetërore?
Nëse shteti i Kosovës është juridikisht shtet kushtetues multinacional, a do të thotë kjo se ky shtet përjashton diversitetin nacional brenda substancës multinacionale. Vetë fakti kur thua multinacionale, nënkupton disa nacionalitete brenda këtij "grupi shoqëror".
Pra, ekzistojnë nacionalitete (shumë) nga të cilat është përfituar një multinacionalitet. Pra, brenda ka nacionalitete. Nëse ka, atëherë a janë ato nacionalitete pa të drejtë ta kremtojnë festën e tyre nacionale, jo shtetërore po nacionale, veç pse nuk janë shtetas të Shqipërisë, por shtetas të Kosovës pa të drejtë dynënshtetësie, siç u lejohet multietnikëve serbë.
Pos nëse multinacionaliteti si karakter juridik i shtetit të Kosovës, sanksionon shumësinë e nacionaliteteve të integruara në multinacionalitet, dhe nuk i lejon më të jenë multinacionale as si grumbull, por i lejon të jenë multietnike.
Multietnike (multifisnore) nuk do të thotë edhe multinacionale. Tjetër është etnia (fisi) e tjetër kombi. Shteti është ai që bëhet nga kombi e jo nga fisi. Ky diskriminim nacional që bën UNMIK-u ndaj shqiptarëve, jepet me satisfakcion dhe justifikacion se shqiptarët e Kosovës për hir të shtetit të tyre, heqin dorë edhe nga kombi.
Kjo ta përkujton kohën e komunizmit menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur aktivistët ateistë komunistë i mblidhnin fshatarët "fanatikë" besimtarë dhe në mbledhje u thoshin, prej sot nuk ka më zot? Dhe pyesnin, a ka kush këtu ndonjë që ende e beson Zotin? Të gjithë korazi thoshin "joooo"! Përndryshe do të delikuentonin sistemin. Sistemi politik stalinist i UNMIK-ut i ka detyruar shqiptarët e etshëm për shtet, që këta të kujtojnë se nëse thonë se janë shqiptarë, nuk do t'ju takojë shteti "kosovar"!
Dhe do të tregohen seperatistë "kosovarë" që duan të ndahen nga shteti i Kosovës dhe të bashkohen me shtetin shqiptar të Shqipërisë, punë kjo që Evropa e konsideron herezi politike, shkaku se nuk i konvenon shtetit terrorist të Serbisë.
Serbia na ndaloi 100 vjet ta kremtonim Ditën e Flamurit, por ne këtë Ditë e kremtonim fshehurazi, mblidheshim nëpër shtëpi dhe kremtonim, e këndonim këngën e flamurit. Por, atëherë kjo konsiderohej patriotizëm, kurse sot konsiderohet tradhti ndaj shtetit të Kosovës.
Po thonë se kur të na shohin si kremtojmë festat kombëtare, kështu i paralajmërojmë se ne duam bashkim me Shqipërinë e jo shtet të Kosovës. Ja kështu thoshte edhe Serbia. Por, atëherë kështu thoshte Serbia, por tash po thonë edhe liderët shqiptarë kosovarë të shtetit të pavarur të Kosovës.
Mos u jepni argumente serbëve se jeni shqiptarë, por shtireni se jeni kosovarë multietnikë.
Në rregull, por pse nuk po i detyrojnë kështu edhe serbët multietnikë? Festën e Flamurit kurrë nuk kanë arritur të na e ndalojnë, as që do të mund të na ndalojnë në të ardhmen. Nëse jemi kosovarë, kjo nuk do të thotë se nuk jemi shqiptarë!
(*) Editorial i "Bota Sot", Prishtinë