Krujë, 29 Nëntor NOA - Një adoleshent ka humbur jetën pasi u qëllua për vdekje me armë zjarri dhe për këtë ngjarje, është ndaluar si i dyshuar, roja i objektit ku sipas këtij të fundit, i ndjeri synoi të realizojë një vjedhje.
Viktima është Abdyl Zalla, 17 vjeç, me banim në Tiranë. Autor i dyshuar i vrasjes së të miturit, është 49-vjeçari Llesh Rica, lindur dhe me banim në Thumanë të Krujës.
Ngjarja ka ndodhur sot pasdite në 17.30, në fabrikën e çimentos
në fshatin Zall pranë Fushë Krujës në kompaninë private "Vili" e cila është e administruar nga një libanez, i thanë agjencisë NOA, burime policore që i referohen hetimeve në vendngjarje.
Nga hetimet e kryera në vendngjarje, bëhet e ditur se viktima është qëlluar me armë zjarri të tipit automatik "Kallashnikov".
Dëshmitarët treguan se breshëri automatiku dëgjuan gjatë momenteve që ndodhi vrasja e të miturit.
Policia tha se ka ndaluar të dyshuarin e vrasjes dhe po përpiqet të sqarojë rrethanat e ngjarjes.
Dyshohet se viktima ka dashur të vjedhë sepse ai është gjetur në mjediset e brendshme të fabrikës libaneze të çimentos dhe në këto çaste ai është qëlluar nga roja i objektit.
e.r/NOA