English

Zvicra dhe minaret

Zviceranet do të vendosin në referendum atë se a do të ndalohet me kushtetutë ndërtimi i minareve në vendin e tyre. Ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, ka tërhequr vërejtjen se vota kundër minareve rrezikon ta shndërrojë Zvicrën në shënjestër të terroristëve islamikë

Nga "The Guardian"

Zviceranët do të vendosin nesër për atë se a duhet ndaluar ndërtimin e minareve në xhamitë që ekzistojnë në këtë shtet, vota kjo e parë e drejtpërdrejt në një shtet të Europës për islamin dhe praktikat e myslimanëve. Referendumi kundërthënës, i shoqëruar nga fushata, e cila është cilësuar si raciste dhe shkelje e të drejtave të njeriut, është grindja më e re e radhës në Europë në lidhje me kufijtë e multikulturalizmit dhe stilin jetësor të imigrantëve. Referendumi është mbështetur nga popullistët e krahut të djathtë dhe ka nxitur një debat mjaft të nxehtë në Zvicër. "Minaret nuk kanë lidhje me religjionin. Ato janë një simbol i fuqisë politike, një hyrje në imponimin dhe zbatimin e ligjit islamik", argumenton Ulrich Schluer, nga radhët e partisë së djathtë, Partia Popullore Zvicerane (SPV), e cila konsiderohet si arkitekte e fushatës. Para dy viteve, SPV u bë partia më e fuqishme në Zvicër, falë fushatës zgjedhore, e cila u bazua në qëndrimet kundër imigracionit. Ekspertët e OKB-së dhe ata për të drejta të njeriut e kishin cilësuar si tejet raciste këtë fushatë të SVP-së. Edhe këtë herë, SVP ka bërë fushatë duke përdorur posterë, në të cilin mbi flamurin e Zvicrës janë vendosur minare në formë të raketave, ndërsa pranë tyre qëndron një femër e veshur me perçe. Udhëheqësit e kishës, komuniteti hebre në Zvicër dhe udhëheqësit myslimanë që të gjithë e kanë dënuar këtë fushatë. Ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, ka tërhequr vërejtjen se vota kundër minareve rrezikon ta shndërrojë Zvicrën në shënjestër të terroristëve islamikë. Për referendumin është shprehur edhe organizata Amnesty International, e cila ka theksuar: "Liria e besimit religjioz është një e drejtë thelbësore e njeriut dhe ndryshimi i kushtetutës së Zvicrës, për të ndaluar ndërtimin e minareve, është shkelje e të drejtave të myslimanëve në këtë vend". Ekspertët e OKB-së për të drejta të njeriut kanë theksuar se kjo ndalesë është cenim i lirisë së religjionit dhe i lirisë. Ministrja zvicerane e Drejtësisë, Eveline Schlumpf, është pajtuar me këtë qëndrim, duke theksuar se ndalesa është shkelje e ligjeve kundër diskriminimit dhe e së drejtës për ushtrim të lirë të religjionit, me ç'rast ajo madje ka theksuar se kjo fushatë nuk është dashur të lejohet fare. Fushata është kryesuar nga lobi i djathtë kundër imigracionit, por atij i janë bashkuar edhe disa të majtë dhe liberal, të cilët kanë qëndrim kritik ndaj islamit. Aktivistja e njohur, Julia Onken, javën e kaluar ju bëri ftesë të gjitha femrave që të votojnë për ndalimin e minareve. "Xhamitë janë objekte të meshkujve, minaret janë simbol i pushtet të meshkujve. Ndërtimi i minareve gjithashtu nënkupton se shteti e pranon shtypjen e femrave", tha Onken. Në Zvicër jetojnë rreth 400 mijë myslimanë, të cilët e përbëjnë pesë për qind të numrit të popullatës së përgjithshme. Nga 150 xhami, sa ekzistojnë në Zvicër, vetëm katër prej tyre kanë minare. "Dhe ne nuk dëshirojmë minare tjera. Nuk ka kuptim që të ndalojmë ndërtimin e tyre, pasi që të ndërtohen me qindra minare tjera. Pse të presim që kjo të ndodhë?", tha Schluer. Anketat e opinionit publik dëshmojnë se lëvizja kundër minareve do të pësojë humbje në referendum, por një pakicë mjaft e madhe, së paku një e treta e votuesve, mund të mbështesin kërkesën për ndalesë. Zviceranët do të votojnë për deklaratën:"Ndërtimi i minareve është i ndaluar". Nëse ndalesa mbështetet, atëherë kjo deklaratë do t'i shtohet nenit 72 të kushtetutës së Zvicrës. Argumentet për vendin e arkitekturës myslimane në Europë nuk janë të përkufizuara vetëm në Zvicër, pasi që projektet për ndërtimin e xhamive të mëdha po kundërshtohen edhe nga forcat opozitare në Danimarkë, Francë, Itali, Austri, Gjermani dhe Holandë.

KOMENTE