Breshia, 30 Nëntor NOA - Një emigrante shqiptare humbi jetën sot për shkak se u përfshi në një aksident fatal automobilistik, informon korrespondentja e agjencisë NOA.
Viktima është Shpresa V., 39 vjeçare, emigrante e ligjshme nga Shqipëria e cila prej vitesh jetonte në lokalitetin Ghedi, të Breshias, Itali.
Policia tha se aksidenti ndodhi mëngjesin e së hënës, në orën 07.30, në Bassa, përgjatë rrugës dytësore 24 në territorin e komunës Calvisano, ndërmjet fshatrave Malpaga dhe Isorella, pranë autostradës Breshia-Parma.
E ndjera ishte duke udhëtuar për në punë me një makinë tip "Ford Focus" kur ndodhi aksidenti dhe po përpiqej të hynte në një nënkalim që do ta çonte në autostradën Bershia-Parma.
Në një moment, 39-vjeçarja nuk ka arritur të kontrollojë më automjetin, sipas hetimit, për shkak të shiut që kishte krijuar lagështirë të theksuar në rrugë dhe makina ka rrëshkitur, duke përfunduar jashtë rrugës në një kanal.
Mbërritja e autoambulancës pasi dikush kërkoi ndihmë përmes numrit 118 ishte e pavlefshme sepse 39-vjeçarja shqiptare kishte ndërruar jetë.
Në vendngjarje, policia mori kufomën me qëllim dërgimin te mjekët ligjorë të cilët do të kryejnë autopsinë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes së 39-vjeçares.
r.b/e.l/NOA