Lezhë, 30 nëntor NOA - Fakti që kreu i Partisë Socialiste nuk i njeh zgjedhjet e 28 qershorit, nuk është shqetësues për kryeministrin, përkundrazi, ai është i nderuar nga ky refuzim.
Deklaratën, Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e bëri sot në Kuvendin e Partisë Demokratike në Lezhë ka tha se mosnjohja e zgjedhjeve nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e nderon.
"Mosnjohja e zgjedhjeve nga Edi Rama, më nderon. Unë i them Edi Ramës, kurrë mos i njih zgjedhjet. I them Edi Ramës, ti, ke lustruar bustet e Enver Hoxhës tërë fëmijërinë tënde dhe ke të rrënjosur mendësinë e bllokmenit", deklaroi Berisha.
Më tej, ai tha se zgjedhjet e 28 qershorit janë të bekuara dhe theksoi se ato u certifikuan nga opozita.
"Rezultati i këtyre zgjedhjeve u firmos nga 18 mijë komisionerë të Partisë Socialiste", tha më tej Berisha.
"Arritja më e madhe në karrierën time janë padyshim këto zgjedhje. Ne, ia dolëm të votonim me dinjitetin më të madh. Tani, ne i lëmë shqiptarëve një trashëgimi të shkëlqyer", - theksoi në vazhdim Berisha.
e.r/NOA