Shkup, 30 nëntor, NOA - Ndërhyrjet e vazhdueshme policore nëpër familjet shqiptare, në kërkim të personave të dyshuar në pikë të natës, është një problematikë thelbësore që po trondit sidomos fëmijët e këtyre familjeve të goditura.
Psikologët dhe avokatët theksojnë se këto veprime brutale dhe demostrim i dhunës nëpër dhoma, ku papritur ndërhyjnë uniformat dhe demonstrojnë brutalitet dhe shkelin privatësinë familjare para syve të fëmijëve të mitur, grave dhe pleqëve.
Ajo skenë nuk do t'u hiqet ndoshta kurrë nga jeta e tyre dhe ato pamje të trishta fëmijëve do t'u lënë pasoja përgjithmonë nga ato që shohin ata gjatë një intervenimi policorë siç po vazhdon të ndodhë shpesh në familje të caktuara shqiptare për të kërkuar kryerësit e veprave penale nga ana e policisë ose personat e dyshimtë.
Ku e dijnë fëmijët se kush janë këta njerëz me maska, nëse kanë uniformë, ata vetëm mund të zgjohen në ato çaste me një makth fëmijërorë, ndërsa në ditët në vijim do të kenë frikë të dëgjojnë një trokitje dere dhe një zhurmë qoftë e vogël ajo.
Por kjo psikozë mbetet vetëm te fëmijët shqiptarë, sepse shumica e rasteve kanë ndodhur te familjet e tyre.
Fëmijët mbeten ato krijesa që kanë gjithnjë frikë nga përrallat e frikshme, nga filmat horror, por kur ata e ndjejnë këtë frikë në jetën reale ajo merr përmasa dhe mbetet një frikë e përhershme që i ndjek gjithë jetën.
Shumë fëmijë shqiptarë kanë qenë personazhë që kanë parë së afërmi këto skena ndërhyrjesh, kur policia ka intervenuar në pikë të natës dhe më pas ajo frikë nuk është shkulur tek këta mosha të njoma dhe ankthi se do të vijë dikush t'u trazojë ëndrrat fëmijërore dhe do t'ua godet paqën shpirtërore që çdo fëmijë i pafajshëm e krijon në mënyrën e vet.
Osman Kadriu, avokat i mirënjohur thekson për agjencinë e lajmeve INA se nuk mund tolerohen veprimet triumfaliste të njësiteve speciale nëpër familje të ndryshme. Ai thekson se ish-avokat është ballafaqur me raste të ndryshme, ku ka hasur probleme dhe pasoja sidomos tek fëmijët e familjeve.
"Tek fëmijët krijohet një gjendje e frikës dhe në atë rast krijohet një traumë me pasoja. Ajo shkakton dhimbje shpirtërore dhe pasoja shëndetësore", thekson Kadriu, duke kërkuar që të respektohen standardet e reja të përgjimeve, hetimeve, ku i akuzuari mund të arrestohet apo ndalohet në forma tjera dhe pastaj në mënyrë shumë të hapur dhe demokratike të shkohet dhe të bastiset shtëpia e tyre. Këto standarde aplikohen në shtetet demokratike evropiane, ndërsa ne në këtë drejtim jemi shumë larg atyre.
Avokatët theksojnë se në Maqedoni policia e ka si qëllim të marrë lejen për ndërhyrje nga gjyqësia dhe pastaj ajo i ka duart e lira dhe në mënyrë triumfaliste dhe brutale ndërhynë nëpër familje.
Sociologu i çështjeve sociale, Lulzim Murtezani është i mendimit se çdo shqetësim që ka të bëjë me fëmijët ndërlidhet me shumë faktorë dhe ndër ta mund të merret përcëptimi i rrezikut, një zhurmë e papritur me intensitet të lartë , nje skenë e llahtarshme ose makabre. "Fëmija ka një natyrë shumë të ndieshme dhe delikate. Çdo sulm ose ngacmim që është ekstrem mund ta ç'rregullojë baraspeshën emocionale të fëmijës. Një sulm i papritur i policisë paraqet një ngacmim të tillë të skajshëm ndaj këtyre moshave të njoma duke u shkaktuar atyre frikësim dhe trauma", ka theksuar eksperti i çështjeve sociale, Lulzim Murtezani.
Mirëpo sipas tij këto efekte nuk mbarojnë vetëm në këtë çast, sepse ka më pas reagime poststresuese. Psikologët theksojnë se fëmijët e ballafaquar me skena të tilla do të ketë gjithmonë një frikë nga uniforma policore apo ushtarake. " Një fëmijë që për një natë traumatizohet dhe në këto raste ai është dëshmitarë i këtyre skenave të llahtarshme që do të lënë më pas pasoja psikofizike dhe simptome të tjera. Sipas psikologëve, gjërat tjera që do ta ndjekin atë do të jenë edhe pagjumësia, makthi, trishtimi i vazhdueshëm, humbja e koncentrimit në memorizimin e gjërave. Deri tani janë heshtur këto çështje dhe hapja e debateve për to lidhur me veprimet brutale policore, që në të shumtën e rasteve ka patur pasoja të pashërueshme dhe me viktima.
NOA-INA