Tiranë, 30 nëntor NOA - Deklarata "bombë" e kryeministrit, Sali Berisha dhënë të enjten e javës së kaluar në Kuvend ku ai zbrazi një mori akuzash personale ndaj kreut të PS-së Edi Rama, duket se i ka hapur rrugë deputetëve të PD-së të cilët njëri pas tjetrit përgjatë gjithë ditëve në vijim kanë "përsëritur" fjalët kreut të qeverisë.
Kështu edhe gjatë ditës së sotme deputetë të Partisë Demokratike kanë vazhduar akuzat dhe fyerjet drejtuar kreut të opozitës Edi Rama duke bërë publike të shkuarën e familjes së tij.
Deputetët Gjoni, Kadilli dhe Boci kanë akuzuar kreun e PS-së ku ashtu si kryeministri Berisha, kanë përmendur jetën personale të Ramës duke e akuzuar atë për amoralitet. "Zhveshja e bashkëshortes në plazhet e botës, akuzat monstruoze që bën për atësinë e fëmijës së tij, rrahja dhe gjakosja në publik e bashkëshortes së tij, nxjerrja e nënës nga shtëpia e të tjera si këto për cilindo prej nesh bëjnë të qartë karakterin agresiv dhe mentalitetin arkaik e primitiv të zotit Rama. Deklarimet e deputetëve socialistë dhe qetësia e zotit Rama nuk mund të zhbëjnë të gjitha këto të vërteta" thanë deputetët demokratë.
Vetëm gjatë ditës së sotme kanë dalë disa deputetë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe madje edhe vetë Berisha të cilët kanë komentuar sërish "turpin" e Ramës me familjen e tij. "Edvin Rama s'ka menduar kurrë për qytetarët sepse s'ka menduar kurrë për familjen e tij. S'ka menduar kurrë për familjen e tij, s'ka menduar kurrë për nënën e tij, s'ka menduar kurrë për partneret e tij, s'ka menduar kurrë për gratë e tij. Si të mendojë ky agresor për qytetarët e tij?" tha sot në Shkodër Topalli.
"Ti ke lustruar bustet e Enverit tërë fëmijërinë tënde, e ke të rrënjosur, kjo është mendësia e bllokmenit, kurse frymëzimi që e shtyn është mafia" iu drejtua sot publikisht kreut të opozitës, nga Lezha kryeministri Berisha.
k.k/NOA