English

Në shqip Kierkegardi, Vitgenshteini, Niçe, Sokrati, Dekarti, me tekste filozofike

Nga Milena Selimi

Tiranë, 30 nëntor, NOA - Në tregun e botimeve, në një mbingarkesë me letërsi rozë dhe vepra të autorëve të panjohur, lexuesi shqiptar ka treguar gjithmonë një tërheqje ndaj letërsisë filozofike.

Për të qenë sa më pranë lexuesit dhe për të përmbushur një nga qëllimet e strategjisë së saj, shtëpia Botuese "Ideart" përmbyll etapën e parë të projektit të realizuar në bashkëpunim me "Oxford University Press", duke sjellë për lexuesin shqiptar 24 tituj në kolanën "Hyrje në Filozofi".

Për këtë seri botimesh, konceptuar nga Arian Leka, e që përmban gjithsej 50 tituj, kontribuan dhe dhanë ndihmesën e tyre 10 përkthyes, konsulentë, redaktorë të specializuar në fushën e filozofisë, ku njihemi me emrat e Shpëtim Dodës, Elton Tahirllarit etj.

Ky projekt do të jetë i hapur, në vijim edhe për vitin 2010-2011, ku lexuesi mund t'i ketë këto botime filozofike në bibliotekën e vet, përkundrejt një çmimi prej 600 lekësh.

Një nga botimet , shkruar nga Patrick Gardiner, sjell "Kierkegaard - filozofi". Søren Kierkegaard, një nga mendimtarët më krijues të shekullit XIX, shkroi gjerësisht rreth temave letrare, psikologjike e fetare.

Ky libër tregon se si i zhvilloi Kierkegaard-i pikëpamjet e tij në kundërshtim të hapur me opinionet e kohës. Përshkruan reagimin e tij ndaj teorive etike dhe fetare të Kant-it dhe Hegel-it, si dhe nxjerr në pah dallimin midis qëndrimit të tij dhe doktrinave të formuluara nga mendimtarë të tillë si Feuerbach-u dhe Marx-i.

Diagnoza e pakrahasueshme e gjendjes njerëzore e bërë nga Kierkegaard-i, e cila thekson rëndësinë e zgjedhjes individuale, pa dyshim mbetet trashëgimia e tij filozofike më mbresëlënëse, sidomos për zhvillimin e ekzistencializmit. Si ky aspekt ashtu edhe konceptimi i tij sa tërheqës aq edhe paradoksal i besimit fetar trajtohen në mënyrë kritike, dhe Patrick Gardiner e mbyll këtë hyrje të qartë duke demonstruar se çfarë ndikimi pati Kierkegaard-i mbi mendimin bashkëkohor.

Hyrja e shkruar mjaft bukur nga Patrick Gardiner mbi Kierkegaard-in bën që ai të vijë i gjallë qoftë si mendimtar ashtu edhe si qenie njerëzore.

Emra të tjerë të këtyre botimeve I gjejmë nga Michael Tanner në veprën "Fridrih Niçe - filozofi". Guardian nuk harron të shkruajë se ky libër është "shumë i lexueshëm, një hyrje e shkëlqyer".Filozofia e Niçes ishte pothuajse gati e braktisur për sa kohë që ky filozof ishte gjallë. Që pas vitit 1889, vit kur ai u nda befasisht nga jeta, Niçe ka është perceptuar si një ikonë prej aq shumë njerëzve të pangjashëm mes tyre, interpretimet e të cilëve lutateshin që nga iracionalizmi i skajshëm e deri tek analitizmi ngulmues. Ideosinkretik dhe njëheri aforistik, Fridrih Niçe mbetet gjithmonë nxitës, jetëdhënës dhe provokues, gjithashtu joshës për t'i shkuar gjer në fund thellësive të tij.

Kjo hyrje e qartë e Michael Tanner mbi jetën dhe veprën e këtij filozofi, merr në shqyrtim dhe analizon mjaft teza plot dykuptimësi dhe errësi që gjenden të pranishme në veprën e Niçes.

Aty shohim se si sqarohen përfytyrime e ide të gabuara mbi të, gëluese në këto thuajse 100 vjet, që nga koha kur Niçe shkroi në mënyrë profetike: '...dhe mos më ngatërroni mua me atë ç'ka unë jam!'

Nuk ka figurë artistike apo kulturore të nëntëdhjetë vjetëve të fundit që të mos ketë njohur ndikimin nga Niçe, duke filluar që nga Tomas Mani e deri te Haidegeri. Tani ekziston një industri e begatë e Niçes, dhe, padyshim, çdo vit për të dalin në qarkullim më shumë libra se sa për çdo mendimtar tjetër. Kjo falë thirrjes dhe grishjes që ai u ka bërë shumë shkollave të dëshpëruara të mendimit dhe antimendimit.

I zgjedhur me kujdes në këto botime filozofike është edhe autori Tom Sorell, me veprën mbi "Descartes - filozofi". Në këtë vepër Tom Sorell nxjerr qartësisht portretin, karakterin dhe mendimet e Rëne Dekartit nga çka vetë Rëne Dekarti mendon dhe na paraqet. Duke vepruar kësisoj, Sorell na tregon shumë për vetë Dekartin si mendimtar.

Faqet kushtuar 'Meditime', përbëjnë padyshim një nga skicimet më të mira të teksteve hyrëse për tek Rëne Dekarti. "Konciz dhe i kulluar ... kjo vepër rrezaton autoritet"-shkruan J.V.Field, Mathematical Revieës.

Dekarti është mjaft i njohur për shprehjen ‘Cogito, ergo sum'. Duke bashkuar në një 'intuitën' dhe 'deduksionin', ai pranoi ekzistencën e botës materiale, nisur nga parimi 'cogito-s'. Tom Sorell në librin e tij rrëfen se mbi të gjitha Rëne Dekarti ishte një avokat, mjek dhe aplikues i qasjejeve dhe pikëpamjeve të reja, i hapur drejt shkencores, ndaj matematikës e fizikës, por edhe ndaj metafizikës, të cilat ai i zhvilloi dhe i përdori për të mbështetur programin e tij në shkencë. Autori A. C. Grayling sjell "Ëittgenstein - filozofi".

Raymond Tallis, nga Guardian shkruan se 'Çdokush që dëshiron të mbërthehet pas këndvështrimit të mbramë filozofik të Ëittgenstein-it, besimit të tij rreth natyrës së mendimit dhe gjuhës si dhe shumë prej të pashpërfillshmeve (ndonjëherë të keqkuptuara, por që më shpesh të hutojnë) ide të tij mbi filozofinë e mendimit, nuk mund të bëjë gjë më të mirë sesa ta fillojë me këtë libër.' Në këtë libër, i cili tenton t'i bëjë idetë e Ëittgenstein-it të kapshme edhe për jo specialistët, A.C. Grayling shpjegon natyrën dhe efektet e këndvështrimeve ëittgenstein-iane. Autori përshkruan njëkohësisht filozofinë e hershme të vonë të Ëittgenstein-it, mospajtimet dhe lidhjet që tezat e tij kanë mes tyre, duke na paraqitur një vlerësim të gjallë të vijueshmërisë së influencës që tezat e Ëittgenstein-it lanë në mendimin e sotëm filozofik.

Vepra e fundit filozofike që përbyll këto botime është autori Christofer Taylor me "Sokrati - filozofi". Sokrati zë një pozitë kyçe në historinë e filozofisë. Nuk ekzagjerojmë aspak nëse themi se po të mos kishte qenë për ndikimin që pati mbi Platonin, zhvillimi i filozofisë perëndimore do të kishte marrë një rrjedhë krejt të ndryshme.

E megjithatë Sokrati nuk shkroi asgjë për veten dhe informacioni që kemi për të ka të bëjë kryesisht me figurën tërheqëse dhe të zemëruar që shfaqet në dialogët e Platonit.

Në këtë vepër, Christopher Taylor hedh dritë mbi marrëdhënien mes Sokratit historik dhe personazhit të Platonit, si dhe trajton figurën e përjetshme të Sokratit si modeli ideal i stilit filozofik të jetesës, një mendimtar ky integriteti moral dhe intelektual i të cilit përshkonte çdo element të jetës së tij, madje edhe përballë tradhtisë dhe ekzekutimit nga bashkëkombësit e tij athinas.

KOMENTE