LAJMI RITRANSMETOHET ME FOTO NGA VENDNGJARJA
Tiranë, 30 Nëntor NOA - Superstrada që lidh Fushë Krujën me Laçin e njohur sidomos nga vendasit, si rruga e vdekjes, u përgjak edhe një herë mbrëmjen e së hënës, duke i marrë jetën të paktën gjashtë vetëve, pjesa më e madhe në moshë fare të re.
Ngjarja ndodhi në orën 19.50, në superstradën Fushë Krujë-Laç pranë fshatit Derven, raportoi nga vendngjarja, korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Shefi i Komisariatit të Policisë së Krujës Shehu, i tha agjencisë NOA se bëhet fjalë për gjashtë të vdekur dhe një i plagosur në gjendje kritike.
Por drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, Bedri Mihaj, i pyetur nga NOA tha se bëhet fjalë për shtatë të vdekur.
Disa nga viktimat ishin duke udhëtuar me një autoveturë e markës "Benz", me targa TR 15 79 A e cila u përplas me një ambulancë të Laçit duke pasuar fatalitetin rrugor.
Fillimisht u konfirmua emri i Vlash Sutit nga Laçi, rreth 50 vjeç, drejtues i autoambulancës që u bë pjesë e tragjedisë kurse disa të tjerë u konfirmuan disa minuta më vonë dhe i gjeni në fund të këtij raporti.
Të vdekurit i përkasin makinës tip "Benz" me banorë të Laçit dhe dy të tjerët, autoambulancës.
Momentalisht, viktimat, të gjithë nga Bushneshi dhe zona të tjera të rrethit të Krujës, gjenden në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
e.r/NOA Vijon...
Disa nga viktimat e identifikuara:
Vlash Suti, 50 vjeç
Artan Alushi 30 vjeç
Indrit Kaçi, 18 vjeç
Erjon Murati 17 vjeç
Ili Murati, 15 vjeç
Florian Muzhaqi, 25 vjeç