English

Përplasje për vrasjet e pasluftës. Bllaca: Më urdhëroi SHIK, Syla: Padi në Eulex

Prishtinë, 30 nëntor, NOA - Vetëm një ditë para gjykimit të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ky vend është përfshirë nga akuza dhe kundërakuza publike mes personazhesh të ndryshme për vrasjet e pasluftës.

Kështu, Nazim Bllaca, dëshmitari i CD-së së shumëpërfolur për vrasjet e pasluftës, ka pranuar se është autor i një vrasjeje dhe se ka marrë pjesë edhe në 17 raste të tjera që nga vrasjet, rrahjet dhe shantazhet.

Ai nuk ka dashur ta publikojë emrin e të vrarit, duke thënë se kjo është e ditur për prokurorinë e EULEX-it. "Kam punuar për strukturat e SHIK-ut prej vitit 1999 deri më 2003 dhe eprorë të mi kanë qenë Azem Syla dhe dhëndri i tij Shpresim Uka. Nga ky i fundit, i kam marrë emrat se kush duhet të ekzekutohet", ka thënë Bllaca. Ai, gjithashtu, ka bërë të ditur se i janë ofruar edhe shuma të mëdha parash, prej 400 mijë deri në 600 mijë euro, vetëm e vetëm që të mos i bëjë publike këto informata. Ndërsa deputetët e LDD-së, Adem Salihaj dhe Gani Geci, në një konferencë për media ua kanë shpërndarë gazetarëve CD-në me dëshmitë për vrasjet e pasluftës në Kosovë në mënyrë që populli ta marrë vesh se çfarë ka ndodhur dhe kush janë vrasësit. Adem Salihaj ka thënë se CD-ja me dëshmitë i është dorëzuar EULEX-it para 1 muaji e 20 ditëve, por misioni evropian nuk e ka marrë seriozisht punën.

Nga ana tjetër, i përmenduri Azem Syla ka pranuar gjatë një interviste se do të paraqesë sot pranë Eulex-it padinë e tij për këto akuza që i janë ngritur.

"Nuk kam qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe nuk e njoh Nazim Bllacën, as nuk e kam takuar asnjëherë. Ato që thotë, janë të pavërteta. Ky është orkestrim në fushatë dhe në prag të GJND'së. Sot, unë do të ngre padi në EULEX. Vetë jam i gatshëm të përballem me drejtësinë kurdoherë. Është mirë të zbardhen të gjitha vrasjet e pasluftës dhe të mbyllet ky kapitull", pohon Azem Syla, ish-shef i Shtabit të UÇK lidhur me një fakt të tillë.

Sipas tij, këto janë kombinime siç bëheshin njëherë e një kohë nga shërbimet e UDB-së.

n.e/NOA

KOMENTE