Në prag të nisjes së procesit për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Presidenti i Kosovës, tha sot se pala shqiptare do të paraqiste argumente të forta dhe të parrëzueshme
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shprehu në intervistë për BBC, bindjen se gjykata nuk mund të merrte një vendim që do të binte ndesh me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës. Ai tha se procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës ka përfunduar dhe përjashtoi çdo mundësi të rifillimit të bisedimeve me Serbinë për këtë çështje.
Çfarë gjasash për sukses ka çështja e Kosovës para Gjykatës së Hagës?
Sikundër e kemi thënë edhe herë të tjera, Kosova ka argumente të bollshme të cilat i ka prezantuar edhe në dëgjimin e parë dhe në të gjitha proceset që janë përfillur nga ana e Gjykatës, përmes një ekipi jashtëzakonisht të përgatitur.
Them se argumentet e saj janë të parrëzueshme, në kuptimin edhe të argumenteve historike, por edhe të atyre juridiko-kushtetuese dhe të argumenteve të tjera që lidhen me investimin ndërkombëtar, në radhë të parë për të shpëtuar Kosovën nga genocidi i planifikuar apo vrasja me paramendim si dhe në fazat e mëvonshme të investimit në demokraci dhe në paqe.
Them edhe se (do të merret parasysh) ajo që është respektimi i vullnetit të popullit të Kosovës, pas një procesi të madh negociator që ka qenë i gjatë në kohë dhe materie në kuptimin e përballjeve jo i lehtë, por edhe (për shkak të) kompromiseve të mëdha që Kosova ka bërë për gjithë komunitetet pakicë, e në këtë rast bëhet fjalë për komunitetin serb.
Dhe së fundi them se është argument i fuqishëm edhe ecja e Kosovës në këto dy vitet e pas pavarësimit të vendit. Ajo është treguar si një subjekt rëndësishëm në skenën ndërkombëtare me 63 njohje që ka arritur, me anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë, në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe me partneritetet e saj për paqe në rajon. Në këtë rrafsh është e veçantë njohja e Kosovës nga vendet e rajonit dhe vendet fqinje, përveç Serbisë.
Kështu thotë politika e Kosovës. Por Beogradi zyrtar vazhdon të pretendojë se i është marr një pjesë e territorit të tij.
E para, Kosova asnjëherë s'ka qenë pjesë e Serbisë. Ajo ishte e aneksuar dhe ato gjithnjë kanë pasojat e tyre e ato që kanë ndodhur, në kuptimin për të mos qenë me vullnet në një kornizë që Serbia pretendon ta ketë. Kosova ka qenë pjesë e një Federate që është zhbërë.
Para disa ditësh ka qenë një deklarim jashtëzakonisht i argumentuar i ministrit të Jashtëm britanik, David Miliband, se procesi i shkatërrimit të plotë të Federatës Jugosllave përfundon me Kosovën, sepse ajo ishte njësi e barabartë sikur edhe njësitë e tjera.
Mund të them gjithashtu se Kosova në të gjitha ecjet e saj ka patur karakterin sui generis. Duke qenë anëtar i barabartë në Federatën Jugosllave, duke qenë pjesëmarrëse në vendimet e mëdha deri në të drejtën e vetos, duke patur kufijtë e definuar si njësi federale dhe ka patur po ashtu edhe procese paralele të cilat i kanë patur edhe njësitë e tjera federale në kontributin e zhbërjes dhe edhe këtu Kosova patur edhe referendumin e vet; një referendum që është arritur me deklarimin e gjithë qytetarëve të vendit, rreth 90 për qind e tyre janë deklaruar për mëvetësinë e saj.
Njëkohësisht e them se Serbia nuk mund ta konsiderojë Kosovën si territor të saj, as në kuptimin politik. Në organizimin e territorit të Kosovës, asnjë gjë nuk lidhet me qenien e saj në shtrirjen e institucioneve të Serbisë.
Mos të harrojmë të themi edhe atë që ka ndodhur, por duhet të marrim parasysh edhe zhvillimet ndërkombëtare që janë bërë rreth Kosovës.
Përveç intervenimit humanitar të 78 ditëve që ka qenë i pashembullt në histori, vendosja e Kosovës nën protektorat ndërkombëtar, nën kornizat e Rezolutës 1244, që ka sanksionuar një gjendje të një shteti që realisht nuk ekziston, si dhe procesi negociator i udhëhequr nga presidenti Martti Ahtisaari, dhe në të njëjtën kohë puna e veçantë në kornizimin e negociatave nga ana e Grupit të Kontaktit.
Në këtë Grup ka qenë edhe një nga aleatët kryesorë të Serbisë, pra Federata Ruse dhe grupi ka dhënë parimet themelore në dhjetor të vitit 2005 se zgjidhja përfundimtare e Kosovës do të vinte si pajtim i realizimit të vullnetit politik të shumicës.
Ai vullnet është realizuar dhe unë them se nuk është vetëm vullnet i shumicës, por edhe i të gjitha pakicave të tjera, me përjashtim të një pjese të pakicës serbe, e cila nuk e ka pranuar realitetin.
Por mund të them se kohët e fundit ka një kualitet të veçantë të kthimit të serbëve në një realitet normal duke marrë pjesë dhe duke qenë faktor i rëndësishëm edhe në procesin zgjedhor të zgjedhjeve të Nëntorit.
Gjithashtu mund të them se pjesëmarrja e tyre në institucionet e vendit dhe garancitë që u janë dhënë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me projektin Ahtisaari, fryma e të cilit është bartur në Kushtetutë, me ligjet speciale apo specifike që u dedikohen qenies së pakicave, ka bërë që Kosova t'i ketë kapërcyer sprovat e para.
Këtu duhen marrë parasysh edhe përgjigjet pozitive ndaj ogureve që janë paralajmëruar nga ana e kundërshtarëve të pavarësisë. Asnjë nuk ka ndodhur nga ato zëra ndjellakëqinj se në Kosovë do të ketë revansh, se ajo do të jetë një vend jostabël, se në Kosovë do të ketë eksod të komunitetit serb dhe do të ketë shembje të monumenteve kulturore-historike, që janë të popullit të Kosovës, të gjitha këto nuk kanë ndodhur, por ka ndodhur e kundërta.
Kosova ka ecur dhe ka bërë hapa të mirë e seriozë. Natyrisht që ajo, si çdo shtet në lindje ka sfidat e veta, por mund të them se ky sukses deri tani është një sukses që evaluon pozitivisht në qasjen tonë.
Të gjitha njohjet që i janë bërë Republikës së Kosovës, ajo njihet si shtet Sovran dhe i pavarur. Kujtoj se pas 1 dhjetorit do të ketë lëvizje pozitive të shumë vendeve për të njohur Republikën e Kosovës, sepse edhe deklarimet e tyre janë kushtëzuar në një masë të madhe, për një numër prej tyre, që të shohin se çfarë do të ndodhë me Gjykatën. Mendoj se ky do të jetë një udhëkryq pozitiv për Kosovën.
Duket se Gjykata mund të mos marr një përgjigje të prerë. Por, nëse do të ndodhë që mendim i saj të jetë negativ për Kosovën, atëherë sa mund ta dëmtojë ky vendim vendin?
Unë do ta ndaja këtë në disa çështje. Nëse Gjykata do të marrë një vendim, ajo s'mund të marrë një vendim tjetër që është jashtë respektimit të vullnetit politik të një populli, të një kombi, të një vendi të ri të krijuar në kuptimin juridiko-kushtetues ose edhe ndërkombëtar.
Çështja e dytë është se Gjykata asnjëherë s'mund të marrë një vendim në formulën që ka kërkuar Serbia. Formula e saj ka qenë që të kërkojë nëse ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare shpallja e pavarësisë.
E drejta ndërkombëtare realisht do të sanksionojë veprimet që janë të mbështetura në parimet universale, që njeh bota e sotme, por edhe e dikurshme në aspektin teorik. Pra, që të respektohet vullneti i një populli.
Dhe nuk mund të dalë asnjë Gjykatë që të jap ndonjë verdikt tjetër dhe të thotë se nuk ka ndodhur në pajtim me këtë ose këtë. Kjo për arsye se Kosova ka patur një qenësi të saj esencialisht tjetër nga ajo që pretendon Serbia.
Kosova as nuk ka qenë territor i Serbisë, as nuk ka qenë pjesë e saj, dhe si e tillë nuk mund të jetë as nën juridiksionin e shtetit serb. E gjithë kjo që ka ndodhur nuk është shkëputje. Kjo ka ndodhur si një deklarim i vullnetit në zhbërjen e një krijese që ka qenë e përbërë edhe nga vendet e tjera dhe që pjesë-pjesë, që nga viti 1991, ka ndodhur shkëputja e njësive të ndryshme federale, ashtu siç e kishim para pak kohësh edhe shkëputjen e Malit të Zi.
Unë nuk dua të paragjykoj se cila do të jetë formula definitive, por vendet që në një ose formën ose në një tjetër, kanë qenë peng i qëndrimit të deritashëm, nuk do të presin më vullnetin e Serbisë për të shtyrë proceset e tjera. Pas kësaj nuk ka diçka tjetër.
Fundja Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka detyrim që këtë trajtim të sajin, ta prezantojë në opinionin ndërkombëtar në mandatin që ajo ka. Unë nuk po them se cila do të jetë formula, por them se para "argumentave edhe zotërat heshtin".
Kosova është një realitet i cili nuk mund të zhbëhet. Rrota e historisë as nuk mund të ndalet, as nuk mund të kthehet prapa. Dhe ky realitet i ndërtuar sot në Kosovë është realitet pozitiv. Ai është realitet pozitiv për të gjithë qytetarët e vendit. Është pozitiv për rajonin dhe për kontinentin në të cilin gjendemi ne.
Ju thoni se pas kësaj nuk ka kthim prapa. Beogradi thotë se do të ketë bisedime të reja për statusin e Kosovës. E kuptoj qëndrimin tuaj rreth kësaj, por a mund të ndodh që të ketë ndonjë bisedë për të arritur pajtimin e Beogradit për njohjen e Kosovës?
Jo, bisedime për statusin nuk mund të ketë asnjëherë. Ne e kemi thënë dhe është proces i përfunduar. Kosova nuk do të hyjë në diçka që të zhbëjë gjithë proceset pozitive dhe jo të lehta që i ka kapërcyer, që i ka kapërcyer edhe me mbështetje ndërkombëtare, sikundër që ka qenë edhe pajtueshmëria edhe e ditës së shpalljes së pavarësisë së vendit.
Bisedime me Serbinë mund të ketë për çështjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e raporteve të reja midis dy shteteve sovrane. Mund të ketë për tema që janë në interes të dy popujve. Mund të ketë për tema që në një farë mënyre mund të jenë pjesë e këmbimit të përvojave si të nxisim hapat e zhvillimit rajonal dhe të nxitimit të rajonit për integrime, posaçërisht në BE.
Mund të ketë bisedime që lidhen me sfera të veçanta të interesave të shteteve fqinj për çështjen e parandalimit të krimit të organizuar. P.sh., bisedime edhe për kyçjen dhe funksionimin e mirë të rrjetit, po e marr në energjetikë apo të rrjeteve të tjera të komunikimeve ekonomike. Mund të ketë bisedime në realizimin, po kjo si pjesë vetëm operative, të zotimit tonë për projektin Ahtisaari.
Ne kemi thënë se mund të ketë komisione ndërqeveritare të njërit dhe vendit tjetër për të avancuar proceset që kanë të bëjnë me zbatimin e tij të përpiktë, jo si pjesë kontrolli por si pjesë e bashkëpunimit. Dhe këtu ne mund të ecim. Dhe mund të ketë bisedime që, në një ose formën tjetër, mund të lironin të qenit peng nga shtrëngimet të komunitetit serb.
Ne nuk ia kemi mohuar asnjëherë deri tani të drejtën Serbisë për interesim për pakicën serbe në Kosovë, sikur që ndodh me çdo vend amë me pakicat e veta që ka në një vend tjetër. Por këtu ka rregulla. Janë rregullat ndërkombëtare. Është çështja e trajtimit të pakicave mbi standardet ndërkombëtare që është edhe obligim edhe i Kosovës dhe është vija edhe e kuqe edhe e gjelbër e pjesës së interesimit.
Ne nuk ua kemi mohuar njerëzve që të vijnë nga Beogradi dhe të interesohen për avancimet e proceseve p.sh.: në arsim, të avancimit të proceseve, po e marrim, të disa kaptinave të projektit Ahtisaari në shëndetësi, në ndihmat e tjera po e marrim financiare që mund të bëhen për projekte të caktuara, por gjithmonë të kapërcehen në transparencë dhe në kontrollin e institucioneve të vendit dhe në respektimin e ligjeve të vendit tonë.
Për këtë arsye po them se këto biseda mund të jenë vetëm ndihmuese në ecjen e mëtejme, të krijimit të mirëbesimit mes dy popujve dhe dy vendeve. Unë besoj se nuk është në interes as në Serbi që të vazhdojë me irracionalitet e saj të mbajë proceset e mëdha që janë për rajonin dhe Evropën Juglindore përgjithësisht, apo Ballkanin Perëndimor.
Serbia nuk mund të vazhdojë me iluzionin se nesër ajo do të jetë në BE dhe se do të ndalë Kosovën. Absolutisht jo. Ka edhe këtu marifete. Di shumë e shumë vende në BE, që natyrisht e mbështesin edhe Serbinë që të lëvizë, por do të jetë megjithatë një "por…". Ajo "por…" ka të bëjë me ecjen e pakushtëzuar edhe të vendeve të tjera.
Ecjen, që unë do ta quaja mbështetje të proceseve për ecjen në kompozicion të përbashkët, flas edhe në vendet e tjera që nuk e kanë lehtë. Sidomos në nxitimin e Shqipërisë me pyetësorin që do të vijë në përgjigje, çështjet në Bosnjë, interesimet në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në Kosovë. Kosova s'ka vizion tjetër. Dhe Kosova nuk mund të mbetet e fundit në pjesën e mozaikut të Evropës Juglindore për të dalë Serbia e të thotë "ne të tjerët mund të vijmë por Kosova nuk bën".
Unë besoj se do të ketë një harmoni në proces dhe se nxitimi ynë në këtë drejtim do të jetë më i avancuar flas posaçërisht në periudhën që kemi përpara duke patur parasysh edhe shumëçka që duhet të korrigjojmë nga kjo pjesë e punëve që kemi bërë deri tash.
Por, president, Beogradi thotë se pavarësisht vendimit të Gjykatës, ai nuk do ta pranojë asnjëherë pavarësinë e Kosovës?
Jo, unë për Beogradin besoj se do të jetë më lehtë tani. Beogradi do të dalë para njerëzve të vetë për të thënë se "bëmë atë që bëmë, penguam sa penguam njohjet e pavarësisë së Kosovës por e shihni se bota mendon ndryshe".
Këta njerëz, po them, kanë patur nevojë ndoshta që të dalë përtej tyre edhe në këtë formë të një qëndrimi të Gjykatës, për të thënë "nuk shkon më tej". Kjo qasje që kanë patur deri tani, unë e quaj, si një përpjekje, natyrisht inatçore, për të shpëlarë gjithë retorikën e tyre të ashpër, të keqe dhe irracionale para qytetarëve të vendit të tyre dhe të thonë se "ne jemi për idenë e Serbisë që e kemi menduar, nuk jemi për luftëra dhe konfrontime", megjithëse unë them se u mungon vetëm lufta sepse qasja që kanë patur deri tash është fatkeqësisht në përputhje me hapat që ka patur edhe Akademia e Shkencave përpara, edhe Kisha Serbe gjatë gjithë proceseve por edhe Milosheviçi.
Por nëse kjo qeveri e Beogradit tash, që shpresohet të orientohet pak më shumë nga pro-evropianizmi, megjithëse nuk ka prova, shpall se e ka luftuar Milosheviçin del se e ka luftuar vetëm për pushtet. Ndërsa njerëzit e Milosheviçit i ka në qeveri. Ndërsa veprimet që ka bërë Milosheviçi me krijim të tensioneve në rajone të caktuara, sikur që është tash e në kohët e fundit, në pjesët e Luginës së Preshevës, i ka të njëjta.
Del se vrapimet e saj në gjithë botën për të penguar pavarësinë e Kosovës janë po ato thirrje që i ka patur edhe Milosheviçi edhe më herët në forma të ndryshme, në etapa që kanë dalluar nga proceset e tashme, dhe unë them se ka një iluzion se atë do ta mbështes dikush deri në pafundësi. Por kjo nuk do të ndodh. Unë them se as Federata Ruse nuk e ka interes të investojë në vazhdimësi në diçka që është e kundërt me arsyen që e gjen në botën bashkëkohore.
Në bazë të kësaj që më thatë, më duket sikur Serbia brenda një periudhe të shkurtër, ndoshta, ta pranojë pavarësinë e Kosovës?
Jo, jo nuk e them asisoji. Serbia do të vazhdojë ende deri sa të mos dalë një njeri më i këndellur, me një fuqi morale dhe politike, më racionale dhe më imponuese për vendime të mëdha edhe para qytetarëve serbë. Këta nuk e kanë këtë energji, deri tani nuk e kanë dëshmuar.
Kosova nuk pret se do të jetë një njohje e shpejtë prej Serbisë, por unë them se do të vijë koha kur Serbia do ta njohë Kosovën dhe jam shumë i bindur sepse në radhë të parë është edhe në interes edhe të popullit serb.
Tema e Kosovës nuk është temë në Serbi. Unë pashë edhe shumë sondazhe që janë bërë në brendi të Serbisë edhe me qytetarë, pash një intervenim jashtëzakonisht të mirë të 100 intelektualëve me rastin e zgjedhjeve lokale dhe adresimin e tyre për qytetarët serbë të Kosovës, që ishte jashtëzakonisht, them, edhe i guximshëm edhe njerëzor. Pashë edhe përgjigje pozitive edhe të qytetarëve serbë në Kosovë dhe atë tablo që krijohet para tyre. Është një Serbi që dëshiron t'i mbajë peng dhe të shkëputur nga jeta reale apo është një Kosovë që bën ofertën e vet në ecjen e qytetarëve të barabartë dhe Kosovën ta duan si atdhe të tyre. Ne nuk ua mohojmë serbëve që ta duan Kosovën si atdhe të tyre, absolutisht. Serbia e bën të kundërtën.
FUND