Shkup, 1 dhjetor, NOA - Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM) po i çon punët në mënyrë tejet të ngadaltë lidhur me zgjidhjen e këshillit të ri redaktues për fillimin e procesit të hartimit të një enciklopedie të re apo revidimin e enciklopedisë aktuale, që mban firmën e akademikut Bllazhe Ristevski, si kryeredaktor i saj.
Me këtë është pajtuar edhe akademik Alajdin Abazi, i cili për agjencinë e lajmeve INA ka theksuar se do të kërkojë përshpejtimin e procesit rreth zgjedhjes së redaksisë së re por edhe fillimit të hartimit të kësaj vepre. "Po presim ftesë dhe të martën jemi në Kuvendin e ASHAM, ku sigurisht do të kërkojë të shtjellohet dhe përshpejtohet kjo çështje", ka theksuar akademiku Abazi.
Mirëpo nga ana tjetër, zyrtarë nga ASHAM kanë theksuar se deri tani nuk ka asnjë lëvizje sa i përket fillimit të zbatimit të vendimeve të marrura nga kuvendi i fundit.
"Deri tani nuk është ndërmarrë asgjë dhe nuk mund të konfirmojmë se diçka që ka ndodhë lidhur me përbërjen e re të redaksisë së enciklopedisë apo diçka tjetër në këtë
drejtim", kanë theksuar nga zyra për informim e ASHAM. Derisa nuk po bëhen lëvizje, "Enciklopedia Maqedonase" ka vërshuar dhe është një "bestseller" i kërkuar në qarqet intelektuale dhe tek të rinjtë maqedonas, ku po vërshojnë debate pozitive dhe lavdërata nëpër forume të ndryshme interneti në mbështetje të kësaj vepre maqedonase.
NOA-INA