Shkup, 1 dhjetor, NOA - Pas daljes publike të ish-agjentit të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), Nazim Bllaca, për vrasje dhe dhunime të kundërshtarëve politik në Kosovë, janë shtuar dyshime se ky rrjet i organizuar ka vepruar edhe në Maqedoni.
Kjo bëhet e ditur për agjencinë e lajmeve "INA", nga burime dhe persona që kanë njohuri për veprimtarin e SHIK-ut në Kosovë, shërbimi sekret që vepronte në kuadër të UÇK-së dhe që shtriu veprimtarinë edhe pas konfliktit të vitit 1999.
"Po, sigurisht që pas luftës ka vepruar ky shërbim dhe ka pas si zonë edhe territorin e Maqedonisë. Sot e kësaj dite veprojnë njerëz në emër të këtij institucioni edhe për atje, mirëpo për emra mund ti dinë vetë eprorët e këtij shërbimi", ka theksuar burimi i njohur për "INA", duke theksuar se SHIK-u përbëhej nga figura relevante të strukturave të UÇK-së në Kosovë.
Gjithçka që ka tronditur opinionin shqiptar në Maqedoni ka qenë deklarimi publik i Nazim Bllacës nga fshati Ribar i Madh i Lipjanit, i cili deklarohet si ish-agjent dhe vrasës i SHIK-ut, i cili mund të jetë dëshmitari që do të flasë edhe për shtrirjen e mundshme të këtij rrjeti agjenturor edhe në Maqedoni.
Në një material të xhiruar i dorëzuar tanimë në prokurori dhe i publikuar në media, Bllaca rrëfen se eprorë të tij kanë qenë Azem Syla dhe dhëndri i tij, Shpresim Uka.
Ai ka thënë se i janë ofruar edhe shuma të mëdha parash, prej 400 mijë deri në 600 mijë euro që të mos i bëjë publike informatat.
"Nuk është vetëm një CD, por bëhet fjalë edhe për një audio incizim, i cili ka të bëjë më 13 tetor 2009, ku ne nuk kemi mundur të arrijmë kompromis rreth këtyre çështjeve që të mos i publikoj", shpjegon Bllaca, i cili në dëshminë e tij të xhiruar thotë se ka pasur emrin e koduar "Seiko", sipas firmës së orës së dorës. EULEX ka të gjithë dëshmitë lidhur me këtë aferë të bujshme, ku hetimet mund të çojnë edhe në pista të tjera.
Azem Syla është njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe komandant i Shtabit të Përgjithshëm të saj deri në Konferencën e Rambouillet, që më pas të emërohet Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e përkohshme të Kosovës.
Dëshmitari kyç përmend edhe emrat e tjerë të themeluesve të UÇK-së, ndër ta edhe Xhavit Halitin, Fatmir Xhelilin dhe emra të tjerë që janë në detyra të larta në Kosovë.
NOA-INA
Â