Athinë, 1 dhjetor, NOA - Protestat e opozitës me sloganin "Dua të shoh votën time" do të tejkalojnë tashmë edhe kufirin e vendit, duke u zhvilluar në kryeqytetin e Greqisë.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të selisë rozë, sipas të cilave sot në orën 15.30 është parashikuar që emigrantë shqiptarë, mbështetës të opozitës, të protestojnë përpara godinës ku do të mblidhen ministrat e Jashtëm si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të OSBE-së nga 56 shtete.
Ky vend është zgjedhur pikërisht për faktin se ka qenë vetë Organizata e Sigurisë dhe Bashkëpunimit Evropian (OSBE), e cila ka legjitimuar zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri e për këtë arsye, emigrantët shqiptarë kanë zgjedhur të protestojnë para saj.
Ndërkaq, në këtë takim të nivelit të lartë merr pjesë edhe ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili në një citim për mediat, e ka cilësuar këtë protestë të paralajmëruar të emigrantëve si një akt qesharak.
Nga ana tjetër, pritet që në datën 3 dhjetor deputetët të mblidhen sërish për të vendosur se cili do të jetë qëndrimi pas mosreagimit të qeverisë dhe kryeministrit Berisha ndaj ultimatumit të opozitës për hapjen e kutive.
a.ymeraj/NOA
Â
Â