Kosova citohet nga diplomatë si model i besueshëm i ndërtimit të shtetit. Siguria dhe stabiliteti po lëshojnë rrënjë. Parashikimet se pavarësia do çojë në hakmarrje të shqiptarëve kundër serbëve, dolën si të tejfryra
Nga "Washington Post"
Pothuaj dy vjet pasi shteti më i ri në botë e shpalli pavarësinë, fuqitë e jashtme ende kanë kontroll të fuqishëm në Kosovë. Rreth 14 mijë trupa të NATO-s ndodhen atje për të ruajtur paqen, një dekadë pasi erdhën aty për t'i mbrojtur kosovarët prej asgjësimit nga Serbia fqinje. Me vetëm dy milionë banorë, numri i ushtarëve të huaj për banor është pothuaj sa dyfishi i përpjesës së njëjtë në Afganistan. Me një shkallë papunësie prej 45 %, shumica e njerëzve varen nga dërgesat nga jashtë. Kosova nuk ka kod telefonik ndërkombëtar, kurse numrat celularë janë huazuar nga Monakoja apo Sllovenia. Megjithatë, përkundër të gjitha problemeve dhe dhembjeve në rritje, Kosova citohet nga shumë diplomatë si model i besueshëm i ndërtimit të shtetit, sidomos në kohën kur po zhvillohet debati rreth Afganistanit, se përpjekja e vendosur e të huajve mund të ndihmojë ndërtimin e shtetit nga hiri. Pas shumë viteve të konfliktit etnik, siguria dhe stabiliteti po lëshojnë rrënjë. Parashikimet se pavarësia do të çonte në vrasje hakmarrëse të shumicës shqiptare kundër pakicës serbe, dolën si të tejfryra. Në fillim të vitit që vjen, NATO-ja pritet ta zvogëlojë forcën e vet për një të tretën. Iy de Kermabon, kreu i misionit civil të Bashkimit Evropian dhe ish-komandant i NATO-s në Kosovë, thotë se përmirësimet vijnë ngadalë, por sigurt. "Kur jeni në terren, keni ndjenjën se asgjë nuk ec përpara", thotë Kermabon. "Por kur ktheheni pas dy apo tre vjetësh, habiteni me progresin", thotë ish-gjenerali francez në pension. Shumë pak njerëz në Kosovë parashikojnë se rruga për të ecur përpara është e lehtë. Në intervistat, diplomatët e huaj, zyrtarët e qeverisë dhe kosovarët e thjeshtë janë dakord se do të duhen vite, në mos dekada, që Kosova të qëndrojë në këmbët e veta. Madje dhe tani, një holandez e ka pothuaj pushtetin absolut për t'i bllokuar vendimet e Qeverisë së Kosovës. Rreth 3 mijë pjesëtarët e forcës së sigurisë, të dërguar nga Bashkimi Evropian, janë shpërndarë nëpër polici dhe gjykata. Ndërkohë, shumë kosovarë besojnë se ambasada e Shteteve të Bashkuara i dikton punët e vendit nga prapaskena. Por, vinçat e ndërtimit mbijnë në të gjitha anët e horizontit të Prishtinës, e cila është në kulmin e ndërtimit falë ndihmës së huaj. Një shenjë tjetër shpresëdhënëse - Kosova i mbajti zgjedhjet e para lokale, të cilat kaluan kryesisht qetë dhe pa akuza të mëdha për manipulime. Vëzhguesit e huaj, madje, u inkurajuan nga dalja e serbëve në zgjedhje, të cilët e injoruan thirrjen për bojkot nga Qeveria serbe në Beograd. "Zgjedhjet këtu tani konsiderohen si një ngjarje normale", thotë Verena Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet. Një diplomat perëndimor thotë se Kosova përfiton nga fakti se pak a shumë është e harruar. "Ndërtimit të shtetit thjesht i duhet kohë. Ky është proces i ngadalshëm dhe i dhembshëm", thotë diplomati, në kushte anonimiteti. "Ne nuk kemi dyshime për pavarësinë tonë. Por, njerëzit janë të shqetësuar për atë ku jemi sot dhe si qeverisim veten", thotë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, lider i AAK-së. Vetëm 63 shtete, rreth një e treta e Kombeve të Bashkuara e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Megjithëse Kosova i ka varur shpresat në anëtarësimin eventual në Bashkimin Evropian, pesë vende të bllokut tregtar, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, kanë refuzuar të vendosin marrëdhënie diplomatike, nga frika se do t'u jepnin shtysë aspiratave secesioniste të pakicave në vendet e tyre. Përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Piter Feith, thotë se puna e tij me siguri do të mbetet e nevojshme edhe për dy apo tre vjet tjerë. Ai thotë se politikanët e zgjedhur të Kosovës kanë shumë për të mësuar. "Udhëheqësit nuk kanë përvojë dhe nuk kanë shumë vizion afatgjatë",thotë Feith. Kosovarët janë të vetëdijshëm për të metat e tyre dhe thonë se duhet të mbështeten më shumë tek vetvetja. Por, gjithnjë e më shumë po e drejtojnë gishtin kah të huajt, për të cilët thonë se nuk duan të bartin pushtetin. "Nuk ka demokraci me burokraci sunduese ndërkombëtare", thotë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje. "Nëse Evropa vërtet dëshironte të na zhvillojë, ata do të sillnin zhvillim ekonomik, e jo ushtarë", thotë ai.