English

Prishtina dhe Beogradi, sot matin forcat. Gjykata e Hagës vendos mbi pavarësinë

Hagë, 1 dhjetor, NOA - Akti i Pavarësisë së Kosovës, shpallur më 17 shkurt 2008 sot do të merret në shqyrtim të veçantë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, bazuar në një padi të Serbisë ndaj saj.

Dita e sotme përkon me atë të nisjes së seancave dëgjimore ndaj këtij argumenti, ku Prishtina dhe Beogradi do të matin forcën e tyre, e para rreth mbrojtjes, ndërsa i dyti rreth rrëzimit të tij.

Por në këtë debat, krahas tyre do të marrin pjesë edhe shtete të tjera përkrahëse, si SHBA, Anglia etj në krah të Kosovës dhe Spanja, Rumania etj në krah të Serbisë.

Tashmë të dyja palët kanë dorëzuar dokumentacionin i cili sipas tyre vërteton ligjshmërinë apo jo të aktit të pavarësisë së Kosovës.

Nga ana e saj, Prishtina zyrtare pohon se dokumenti 160 faqesh i dorëzuar prej saj siguron të gjitha faktet e nevojshme për mbrojtjen e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës si dhe u përgjigjet me fakte të mjaftueshme të gjitha pretendimeve që i kanë shtruar shtetet e caktuara në GJND kundër shpalljes së pavarësisë.

Argumentet e para me shkrim për mbrojtjen e legjitimitetit të pavarësisë, Prishtina dhe Beogradi i kanë dorëzuar në GJND më 17 prill të këtij viti.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk është obligativ, por vetëm këshillëdhënës, që do të thotë se edhe nëse pavarësia e Kosovës shpallet e paligjshme nga kjo gjykatë, ajo nuk mund të rrëzohet. Deri tani, Kosova është njohur nga 63 shtete, përfshirë shumicën e vendeve të BE-së dhe SHBA-të.

n.e/NOA

KOMENTE