Tiranë, 1 dhjetor NOA- "Sali Berisha, ministrat dhe deputetët e tij besnikë, kanë vendosur të mos merren më me punët e shqiptarëve, por janë shpërndarë anembanë Shqipërisë për të lëshuar të pavërteta në adresë të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj".
Kështu ka deklaruar sot deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, sipas të cilit kjo është një tjetër krizë me të cilën përballet sot vendi ynë.
Klosi theksoi se sot Shqipëria, fatkeqësisht, qeveriset nga një person që nuk është mandatuar nga shumica e shqiptarëve.
"Në kohën kur qeveritë e gjithë botës prodhojnë politika për të lehtësuar impaktin e krizës mbi qytetarët, Sali Berisha, si i fundit komunist i mbetur në pushtet në Evropë, kërkon të mbulojë krizën përmes shpifjes.
Ajo çka kemi parë e dëgjuar në këto ditë festash, ka qenë gjuha e urrejtjes e përdorur nga Sali Berisha, duke hyrë në këtë mënyrë me dhunë në jetën e familjeve shqiptare" tha Klosi.
Sipas tij, Berisha duke mos i hapur kutitë, po thellon krizën dhe qeveria e tij bëhet gjithmonë e më ilegjitime, për pasojë bizneset e vogla e të mëdha do të vazhdojnë të vuajnë presionin e qeverisë, familjet do të vazhdojnë të vuajnë rritjen e çmimeve të ushqimit, pensionistët rritjen e çmimit të energjisë, të sëmurët mungesën e përkujdesjes shëndetësore.
k.k/NOA
Â