Tiranë, 1 dhjetor NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka theksuar se Berisha po përdor gjuhën e urrejtjes për të zhvendosur vëmendjen nga kutitë e votimit.
"Sot, gjuha e urrejtjes u përdor sërish nga Sali Berisha dhe ushtarët e tij. Sot shqiptarët panë një tjetër shfaqje të turpshme që tentonte sërish ta zhvendoste vëmendjen nga kutitë e krimit elektoral të 28 qershorit, mbi të cilat Sali Berisha dhe ushtarët e tij qëndrojnë ulur" tha Xhaçka.
Sipas saj, ministrat e kabinetit të qeverisë së Berishës po shpifin në adresës të opozitës në një kohë kur nuk kanë bërë mirë detyrën e tyre.
"E ka ndritur Ridvan Bode ekonominë e Shqipërisë dhe financat e shqiptarëve, që del e shpif duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit.
E ka ndritur Genc Pollo arsimin në Shqipëri, që del e gënjen, duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit.
E ka ndritur Sokol Olldashi tunelin e Kalimashit, që del e mashtron duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit.
Për Sali Berishën dhe ministrat e tij ka mbetur vetëm një zgjidhje. Të hap kutitë. Përndryshe, duke mos hapur kutitë, Sali Berisha pranon se qeveria e tij është ilegjitime, duke thelluar edhe më shumë krizën që ka mbërthyer vendin. Të hap kutitë, përndryshe për Sali Berishën nuk ka zgjidhje, por vetëm zgjedhje" përfundoi Xhaçka.
k.k/NOA
Â