English

Ajo çka presim nga OSBE

Ne presim me kënaqësi të bashkëpunojmë me të në të gjitha fushat, e sidomos në fushat e dialogut fetar dhe kulturor, ku dy vendet tona me të drejtë krenohen me modelet e tyre të suksesshme të shoqërive tolerante

Nga Ilir Meta*

Zv/kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Në emër të delegacionit shqiptar, dëshiroj të bashkohem me kolegët e mi për të shprehur vlerësimet tona të sinqerta për mikpritjen e ngrohtë që fqinjët dhe miqtë tanë, Autoritetet Greke dhe personalisht Kryeministri Papandreu kanë rezervuar për ne të gjithë. Â

Tani, kur një vit tjetër intensiv pune i OSBE-së po i afrohet fundit, ne konstatojmë me kënaqësi se Greqia i ka përmbushur pritmëritë ndaj Kryesisë së saj, në një kohë kur Organizata është futur në një proçes sfidash të intensifikimit të dialogut mbi arkitekturën e tanishme Europiane të sigurisë dhe nivelin e zbatimit të të gjitha detyrimeve të OSBE-së. Në këtë drejtim, përpjekjet, kreativiteti dhe lidershipi i treguar nga Kryesia Greke gjatë Proçesit të Korfuzit meritojnë të njihen dhe të përgëzohen.

***Â

Ne vërejmë me kënaqësi së gjatë vitit të kaluar, OSBE-ja ka patur një vend qendror në dialogun mbi sigurinë europiane; ajo është identifikuar si forumi më i përshtatshëm për trajtimin e shqetësimeve të sigurisë nga komuniteti Euro - Atlantik. Punimet e Këshillit Ministror të Athinës ofrojnë mundësinë për të bërë bilancin e dialogut konstruktiv zhvilluar në bazë të Proçesit të Korfuzit; ndërkohë, ato shtrojnë para Organizatës edhe detyrën për të ecur më tej në dialogun mbi arkitekturën e tanishme të sigurisë dhe gjendjen e zbatimit të angazhimeve ekzistuese. Nga ky këndvështrim, Shqipëria mbështet fuqishëm miratimin e Deklaratës së Korfuzit dhe vendimin përkatës.

Ne besojmë se struktura e tanishme e sigurisë evropiane e ka dëshmuar veten solide dhe efektive, ndërsa themelet e saj u përgjigjen realiteteve gjeopolitike dhe nevojave të kontinentit. Gjatë dy dekadave të fundit ne kemi arritur të zhvillojmë një rrjet efektiv organizatash ndërkombëtare, mandatet, institucionet dhe vlerat e të cilave pasqyrojnë natyrën tërësore të Sigurisë Evropiane, duke qenë plotësuese ndaj njëra tjetrës.

20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, ne konstatojmë dhe vlerësojmë se sa e suksesshme ka qenë kjo strukturë në përmirësimin rrënjësor të mjedisit të sigurisë evropiane, në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Evropën Lindore dhe Juglindore. Ndaj, ne nuk shohim ndonjë nevojë për ndryshime radikale në këtë fushë. Â

Nga ana tjetër, ne shohim se vetë ekzistenca e këtij dialogu sugjeron se komuniteti transatlantik e kupton se parimet e sigurisë bashkëpunuese dhe të pandashme për të gjithë nuk janë realizuar plotësisht. Sipas gjykimit tonë, kjo nuk mund t'i atribuohet mangësive të arkitekturës së tanishme të sigurimit, por më tepër vazhdimit të konflikteve të zgjatura dhe zbatimit selektiv të angazhimeve të miratuara në Dimensionin Njerëzor, i cili qëndron në themel të konceptit tërësor të sigurisë të OSBE-së. Â

Për këtë arsye, Shqipëria mbështet idenë se Proçesi i Korfuzit duhet të riafirmojë qartësisht gjithë vlefshmërinë e "acquis" së tanishme tërësore të OSBE-së, dhe në të njëjtën kohë të kërkojë rrugë për përmirësime të caktuara në arkitekturën ekzistuese të sigurisë, duke përfshirë edhe miratimin e mekanizmave të reja për forcimin e efektivitetit të OSBE-së në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, për trajtimin më të mirë të kërcënimeve transkombëtare si dhe për vëzhguar në mënyrë të pavarur shkeljet e të drejtave të njeriut. Këto aspekte meritojnë dhe kërkojnë ripërtëritjen e vëmendjes sonë gjatë diskutimit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Gjatë këtij viti, Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme që janë "gurë kilometrikë" në proçesin e saj të integrimit Euro - Atlantik; jo më pak e rëndësishme ishte dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare të muajit Qershor, të cilat përmbushën shumicën e standardeve të OSBE-së. Si rrjedhojë e votës popullore, Shqipëria tani qeveriset nga një koalicion partish, të cilat janë tejet të përkushtuara dhe po punojnë shumë për të jetësuar aspiratën e gjatë të popullit shqiptar, e në mënyrë të veçantë, integrimin në BE. Â

Në këto përpjekje, Qeveria e tanishme do të mbështetet në zhvillimet inkurajuese në stadin e tanishëm të marrëdhënieve të saj me BE-në që rezulton pas kërkesës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe vendimit më të fundit të Këshillit për të kërkuar opinionin e Komisionit Evropian mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t'u bërë vend kandidat. Shqipëria e vlerëson këtë vendim dhe po bën përgatitjet e duhura për të realizuar hapat e mëtejshëm në këtë proçes, që ne presim ta kthejë Shqipërinë në një vend kandidat për në BE, brenda afatit më të shpejtë të mundshëm kohor.

***

Kurrë më parë në historinë e tij të trazuar, Ballkani Perendimor nuk ka patur një mjedis gjeopolitik aq paqësor dhe të qëndrueshëm dhe as një perspektivë aq të qartë të integrimit Euro - Atlantik. Në Prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtarë me të drejta të plota të NATO-s, ndërkohë që dhe vendet e tjera të rajonit kanë bërë përparim të vazhdueshëm në axhendat e tyre përkatëse të integrimit. Shqipëria i përshëndet këto zhvillime dhe përfiton nga ky rast për të ripërsëritur mbështetjen tonë të fuqishme dhe kontributin tonë të palëkundur për perspektivën Evropiane të gjithë rajonit tonë.

Ne përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme vendore; ato ishin të parat zgjedhje pas shpalljes së pavarësisë, të drejtuara tërësisht nga autoritetet vendore. Shqipëria i vlerëson këto zgjedhje si një shembull tjetër i rritjes së shkallës së pjekurisë së popullit të Kosovës dhe përfaqësuesve të tij politikë. Ato rikonfirmojnë më tej se Kosova e pavarur është plotësisht e aftë të japë një kontribut të prekshëm për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne dëshirojmë të shprehim kënaqësinë tonë për nivelin inkurajues të pjesëmarrjes së komunitetit vendor serb në këto zgjedhje. Pjesëmarrja e tyre në institucionet demokratike dhe legjitime të Kosovës së pavarur janë ndihmesa më e mirë që ata mund të japin për të ardhmen e tyre, e cila është sigurisht dhe pashmangshmërisht e lidhur me një Kosovë të stabilizuar, të begatë dhe Europiane.

Së fundi, ne dëshirojmë t'i urojmë Kryesisë së ardhshme të radhës të Kazakistanit sukses të plotë në përpjekjet e tyre sfiduese! Ne presim me kënaqësi të bashkëpunojmë me të në të gjitha fushat, e sidomos në fushat e dialogut fetar dhe kulturor, ku dy vendet tona me të drejtë krenohen me modelet e tyre të suksesshme të shoqërive tolerante.

(*) Fjala e mbajtur në Takimin e 17-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, Athinë, 1- 2 Dhjetor 2009Â

KOMENTE