Tiranë, 2 dhjetor NOA - Drejtoria juridike e bashkisë së Tiranës ka dorëzuar një padi kundër kryeministrit, Sali Berisha në gjykatën civile të kryeqytetit.
Në një deklaratë për mediat, drejtoresha Migena Vishko tha se kjo është rruga ligjore për t'ju përgjigjur akuzave të vazhdueshme për afera korruptive të kryeministrit Berisha.
"Akuzave publike të kohëve të fundit, për afera korrputive dhe për shitjen e tokës tek "Tajvani", të bëra nga ana e kryeministrit të republikës, Ministrit të Punëve Publike dhe Partisë Demokratike ndaj bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj, institucioni ynë krahas sqarimit publik me prova dhe fakte ka zgjedhur dhe rrugën ligjore për të vënë në vend imazhin e cenuar nga përbaltja e institucioneve qendrore.
Sot dorëzuam tre padi ndaj kryeministrit, ministrit të punëve publike dhe subjektit juridik "PD, për detyrim përgënjeshtrimi dhe zhdëmtim të cenimit të dinjitetit.
Duke qenë se imazhi i bashkisë së Tiranës është puna e saj në gjithë këto vite, dëmshpërblimi i kërkuar do të shkojë tërësisht për shtimin akoma më tepër të shërbimeve ndaj qytetit dhe konkretisht për çdo padi kemi kërkuar si dëmshpërblim blerjen e 1250 pemëve, të standardeve të bashkisë dhe ekuivalentin e tyre në lekë.
Paralelisht me këtë bashkia e Tiranës është duke përgatitur një kallëzim penal për këtë çështje", tha drejtoresha e drejtorisë juridik,e pranë bashkisë së Tiranës, Migena Vishko.
b.m/NOA