English

Ambasadat përfitonin 14 milion euro në vit nga vizat, do i humbin me heqjen e tyre

Shkup, 2 dhjetor, NOA - Me heqjen e vizave për shtetasit e Maqedonisë, ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian në Shkup do të humbin 14 milionë euro në vit, një shumë kjo që përfitohej për çdo vit nga taksat prej 35 eurosh për viza.

Nga heqja e regjimit të vizave më së shumti do të pësojnë ambasadat e vendeve të BE, të cilat do të kenë buxhete më të ulëta sesa ato që i siguronin për çdo vit nga vizat. Sektori i vizave ka qenë një prej më fitimprurësve, sidomos për vendet më të zhvilluara të BE si Gjermania, Belgjika, Austria, Italia, por edhe Zvicra, ku për çdo vit regjistrohej një numër i madh i aplikantëve për viza.

Fitimet ishin të larta për shkak të dhënies së vizave afatshkurtra, të cilat i detyronin aplikantët që me viza Schengen të pajiseshin në çdo tre muaj. Sipas raporteve të siguruara nga agjencia e lajmeve INA, ambasadat e vendeve të BE jepnin rreth 800,000 viza në vit për qytetarët e Maqedonisë. Për t'u pajisur me një vizë Schengen deri më tani duhej të paguhej taksa e vizës, prej 35 eurosh. Përveç vizave, ambasadat kishin edhe sisteme tjera të fitimit, edhe atë nëpërmjet instalimit të vijave profitabile telefonike, ku për secilën thirrje për caktimin e terminit për vizë qarkullonin impulse që shkonin në dëm të xhepit të aplikantit. Kështu, për çdo thirrje telefonike në një ambasadë perëndimore, harxhoheshin rreth 60 denarë (1 euro) për minutë, para këto që paguheshin nga llogaria e telefonit të aplikantit. Veç kësaj, ambasadat e vendeve të BE më nuk do të jenë lokacione interesante e as të radhëve të gjata për qytetarët e Maqedonisë. Dokumentacioni voluminoz, terminet e caktuara për ditë të tëra dhe pritjet e gjata, kanë qenë problemet e përditshme me të cilat janë ballafaquar shtetasit e Maqedonisë. Nga 19 dhjetori pritet që të gjitha këto probleme t'i mbeten të së kaluarës, sepse Evropa s'do të ketë më barriera, e qytetarit do t'i duhet vetëm pasaporta biometrike në xhep dhe pak lekë, sa për t'u arsyetuar në pikat kufitare.

NOA-INA

KOMENTE