Tiranë, 2 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha doli sot në një konferencë për shtyp ku përshëndeti fjalimin e presidenti amerikan Barack Obama, për shtimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan dhe shtoi se edhe Shqipëria do të dërgoj 85 trupa shtesë.
"Duke përshëndetur këtë vendim të Shtëpisë së Bardhë dhe Presidentit Obama, qeveria shqiptare, si vend anëtar i NATO-s, mik e aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe mik i kombit afgan dhe Afganistanit, vendos t'i përgjigjet kësaj nisme të re të Presidentit Obama me një shtim të ri të forcave tona në Afganistan, duke dërguar, përveç dy kompanive që veprojnë në Herat, edhe 85 trupa shtesë. Nga këto, rreth 35 do të jenë trupa luftimi, sigurisht, e vetëkuptueshme që ne do të ndajmë rrezikun me aleatët tanë, 25 do të jenë oficerë për stërvitjen e ushtrisë afgane dhe 20 të tjerë do të jenë ekip mjekësor, mjek e infermierë. Me këtë kontingjent, mendoj se Shqipëria jep kontributin edhe mbi proporcionin e saj në këtë çështje të madhe të paqes botërore, siç është paqja, stabiliteti dhe siguria e Afganistanit" tha Berisha.
Gjatë konferencës, Berisha u pyet nga gazetarët për takimin e tij me ambasadorin amerikan Withers paraditen e sotme, ku kreu i qeverisë tha se çështja e këtij takimi ishte kënaqësia për të informuar ambasadorin mbi vendim, që Berisha mori pasi u konsultua me autoritetet përgjegjëse, Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm.
Ndërkohë që Berisha theksoi se pasditen e sotme do të dalë në një tjetër konferencë për shtyp që sipas tij është e rëndësishme.
k.k/NOA