English

Berisha publikon dosje me abuzime 750 milionë euro "të njerëzve pranë Edi Ramës"

LAJMI RITRANSMETOHET ME FOTO TE KONFERENCES

Tiranë, 2 Dhjetor NOA Update - Kryeministri Sali Berisha doli para pak çastesh në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp e cila po vazhdon, ku fillimisht hodhi akuza të përsëritura ndaj kryetarit të PS Edi Rama.

Berisha tha se kishte një dosje ku përfshiheshin personazhe si Dulaku, Ylli, Kokëdhima, Sula etj, kanë përfituar 500 mijë metra katrorë troje në qendër të Tiranës dhe në zonat e Unazës dhe përreth saj, me vlerë totale prej 750 milionë eurosh.

"Janë bërë dhunime monstruoze pronash dhe Tirana është kthyer në një lavatriçe parash", - deklaroi kryeministri.

Ai ka akuzuar Ramën se ka dhënë lejet e ndërtimit në shkelje të ligjit. Ai bashkë me bashkëpunëtorët sipas kryeministrit janë si një "kupolë mafioze" ku çdo gjë e kanë bërë për përfitim të ardhurash.

Në akuza u përfshi Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane që Berisha e quajti një "demokristian ateist" që u akuzua se ka përfituar një territor të madh toke në Tiranë.

Për Koço Kokëdhimën, Berisha tha se ka në dosje 24 mijë metra katrore leje ndërtimi që tha se botuesi i "Shekullit" i ka përfituar nga lejet e dhëna prej Edi Ramës në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Për Tom Doshin, Berisha tha se ka përfituar 26 mijë metra katrorë leje ndërtimi nga Edi Rama.

Për Fidel Yllin, i njohur si pronar i lokaleve "West" te Kullat Binjake, Berisha tha se ka përfituar rreth 49 mijë metra katrorë sipërfaqe për leje ndërtimi nga Edi Rama, "e tëra në dhunim të hapur të ligjeve".

Për pronarin e "Tajvan" tek ish-Parku Rinia në qendër të Tiranës, Besnik Sula, Berisha tha se ka përfituar nga Edi Rama 49 mijë metra katrorë sipërfaqe leje ndërtimi.

Më tej Berisha denoncoi Sadri Abazin që tha se ka përfituar 53 mijë metra katrorë sipërfaqe trojesh, dhënë në mënyrë abuzive nga Edi Rama me "3 mijë lekë të reja metri katror, brenda unazës".

Berisha publikoi dhe 68 mijë metra katrorë që Arian Leskaj, djali i Valentina Leskajt ka përfituar për leje ndërtimi nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Berisha përmendi tokat te xhamia e Karapicëve, te Lidhja e Shkrimtarëve, etj dhe përmendi se janë bërë shkelje në dokumentacionin e përfitimit të këtyre trojeve.

Personat të cilët janë akuzuar nga Berisha, për shkelje të ligjit, për përfitim të pronave të dhëna, me leje të Ramës kryeministri i renditi si më poshtë:

Artan Dulaku 145 366 metër katrorë

Sadri Ababzi 53 800 metër katrorë

Arjan Leskaj 61 840 metër katrorë

Nard Ndoka 27 743 metër katrorë

Fidel Ylli 47 384 metër katrorë

Ilir Mata 21 350 metër katrorë

Tom Doshi 29 600 metër katrorë

Koço Kokëdhima 24 800 metër katrorë

e.r/r.b/NOA

KOMENTE