English

"Dosja me abuzime 750 milionë euro", kush janë njerëzit që denoncoi Berisha

Tiranë, 3 Dhjetor NOA - Kryeministri Sali Berisha publikoi mbrëmjen e së Mërkurës një dosje ku tha se demonstroheshin disa nga shkeljet që ka kryer Edi Rama në detyrën që mban edhe aktualisht si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në 55 minuta takim me mediat ka pasur edhe pyetje të cilat u personalizuan ashtu si dhe emrat që Berisha publikoi si abuzues nga lëshimet e Ramës.

Emrat më së shumti, ishin pronarë mediesh, kompanish të njohura ndërtimi dhe tregtare e shërbimesh të ndryshme, mes tyre edhe deputetë të PS.

Njohja e zgjedhjeve

Berisha tha se 5 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, të certifikuara universalisht, dy ish-ministra të diktaturës hoxhiste dhe tre pinjollë të nomenklaturës, me në krye nipin e famëkeqit Spiro Koleka, njeriut që paditi dhe u rezervoi pushkatimin dhe shekuj burgje dhjetëra e dhjetëra intelektualëve shqiptarë të formuar në perëndim, të birit të të atit, skulptorit famëkeq, apo njeriut që së bashku me Ramiz Alinë do të firmosnin varjen dhe ekzekutimin e intelektualëve shqiptarë për bindjen dhe lirinë e mendimit - dhe kjo, jo në vitet 50 apo 70, por edhe në vitin e rrëzimit të Murit të Berlinit, në vitet 88-89 -, së bashku me një kupolë mafioze që ata drejtojnë, kanë vendosur të mos njohin legjitimitetin e zgjedhjeve, të mos njohin vullnetin tuaj, të mos njohin qeverinë dhe institucionet legjitime të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit".

Për Berishën, "këta punistë dhe mafiozë, njëlloj si në kohën e tyre, duan t'i imponojnë pushtetit legjitim të dalë nga vota juaj e lirë, shqyrtim politik, me komision parlamentar të vendimeve të gjykatës, pasi ata nuk arritën me mjetet e tyre të përcaktonin rezultatin, njësoj si në kohët e shkuara".

Ndërkohë Berisha vlerësoi se hapja e kutive të votimit dhe rinumërimi i votave është kërkesa ultimative e këtij grupi punisto-mafioz, që kërkon me çdo kusht të nxijë një prej arritjeve më të mëdha në rrugën e demokracisë, zgjedhjet e 28 qershorit, kërkon të bllokojë me një donkishotizëm aventuresk rrugën tuaj drejt Evropës, heqjen e vizave dhe procesin e integrimit.

Këtu Berisha akuzoi se "ky grup punistësh nuk udhëheq Partinë Socialiste, por udhëheq klanet e mafies më të rrezikshme në Ballkan, që e ka shndërruar Tiranën në një lavatriçe gjigande parash të pista".

Emrat e sulmuar nga Berisha

Për shefin e qeverisë dhe PD, krimi monstruoz ekonomik, udhëheq kupolën e mafies shqiptare, Don Dollakun, (nënkuptohet Artan Dulaku, bashkëpronar firme ndërtimi, Tv Vizion Plus etj.), Kokëdhinë, (Nënkuptohet Koço Kokëdhima, pronar firme ndërtimi, i gazetave "Shekulli", "Sporti Shqiptar", Radio kombëtare +2, Tv A1 etj), Besnik Sulën, (pronar i kompleksit argëtues "Tajvan", në qendër të kryeqytetit) Tomë Doshin, (ish-deputet i Partisë Demokratike, aktualisht pranë PS, biznesmen i njohur shkodran, njihet si personi që rrahu egërsisht një gazetar disa muaj më parë), Yllin e partisë apo Fidel Yllin, (emër pranë PS, aktualisht deputet i saj, pronar i kafeterive "West" te kullat binjake, kujtohet si pronar i "Fidelit", ndër lokalet e para në Tiranë), Dash Pezën, (Dashamir Peza është deputet i PS në legjislaturën ende të bojkotuar, biznesmen, i atakuar nga Berisha dhe në seancën e kaluar në Parlament, ku akuzoi Edi Ramën se "i iku gruas nga shtrati duke e lemerisur dhe u fut në shtratin e Dashit", Leskajn, (Arian Leskaj, pronar i një firme ndërtimi që ka kryer ndërtim pallatesh në disa zona në Tiranë dhe më gjerë, bashkëpronar i gazetës "Korrieri") etj.

Për kryeministrin, këta zotërinj nuk kanë asnjë interes demokratik, kombëtar, njerëzor. "Këta që shpenzuan me dhjetëra e milionë euro për të dhunuar votën tuaj dhe morën bërrylin, atë që meritonin, në zgjedhjet e fundit, kanë një hall të madh shumë, një hall të paimagjinueshëm".

Këtu, Berisha bëri një premtim të fortë: "Perandorinë e tyre të krimit e pret fati i Aldo Bareve. Ky është zotimi im solemn. Këta nuk kanë hallin e kutive. Jo. Kanë hallin e ekonomisë së tyre, të bazuar fund e krye mbi krimin".

"Dosja e abuzimit"

Në takimin me mediat, Berisha tha se ka një dosje e cila dëshmon se Tan Dollakët, Leskajt, Kokëdhitë, Besnik Sulajt, Tomë Doshi, Ylli i Partisë Socialiste e ndonjë tjetër, vetëm në 2-3 vitet e fundit kanë marrë, duke dhunuar ligje e prona, 500 mijë metër katror sipërfaqe ndërtimi, kjo është akoma e pafinalizuar, me një vlerë totale, duke filluar nga zemra e Tiranës dhe e gjitha unazës, që shkon në 750 milionë euro".

Më poshtë, gjeni si Berisha i renditi këto përfitime abuzive sipas tij:

"Po filloj me Ilir Matën apo "kunatin e shokut Xhemal", kunatin e Dashit, i cili na e pastron edhe qytetin, sepse tenderët e pastrimit të qytetit vetëm Dashi i fiton. Ilir Mata ka me firmën e Edi Ramës 21.350 metër katror leje ndërtimi. Në një vendim 11 mijë metër katror, në tjetrën 9700, e tenderë të tjerë. Të gjitha janë në dhunim të pronave e ligjeve.

Pas tij vjen Nard konstruktori. Keni dëgjuar për "Nard construcion", demokristian e ateist. Ai ka 27.743 metër katror, të gjitha në dhunim të ligjeve dhe pronave.

Pas tij vjen Koço Kokëdhia apo Koço bashkia. Ai ka 24.800 metër katror leje të ndryshme ndërtimi. I përmendim me radhë; sipërfaqe ndërtimi 6.072 metra katror, me firmë të kryetarit Edi Rama, sipërfaqe 6.062 metra katror, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 5.670 metër katror sipërfaqe ndërtimi, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 6.950, me firmë të Edi Ramës, 6.108 metra katror sipërfaqe, me firmë të Edi Ramës.

Pastaj në listë vjen Tomë Doshi, me një sipërfaqe prej 29.600 metër katror leje ndërtimi. I përmendim vendimet; Tomë Doshi 15.100 metër katror, në vitin 2007, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 14.500, në vitin 2008, me firmë të Kryetarit Edi Rama.

Pastaj vjen Ylli i Partisë, Fideli. Fideli ka 47.884 metër katror leje ndërtimi. Nuk është punë kutish këtu, është punë kasafortash. I rendisim: Fidel Ylli, 4.320 metër katror sipërfaqe, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 21.532 metër katror, në vitin 2008, e tëra në dhunim të hapur të ligjeve, me firmë të Kryetarit Edi Rama, sipërfaqja tjetër e Yllit të partisë, Fidelit të Ramës, 21.532 metër katror, me firmë të Kryetarit Edi Rama.

Pas Fidelit të partisë vjen Besniku i partisë, Besnik Sula, me 45.977 metër katror. I rendisim; në vitin 2008 ka marrë 9.266 metër katror, në vitin 2007 ka marre 26.820 metër katror, në 2007 ka marre 685 metër katror, në vitin 2008 ka marre 8.076 metër katror.

Besnikun e ndjek Sadri Abazi, me 53.800 metër katror. Këto janë dhunime monstruoze në pronat e qytetarëve të Tiranës, por unë ju garantoj edhe në pronat publike. Këtu ka sipërfaqe me mijëra e mijëra metra katror të shitura nga Edvini Besnik Sulës, me 3 mijë lekë të reja metrin katror, flas gjithnjë për tokë brenda unazës së kryeqytetit. I rendisim: Sadri Abazi, 15.911 metër katror në vitin 2008, 5160 metër katror në vitin 2008, 21.970 metër katror. Këtyre sikur u pjellin kutitë toka.

Arian Leskaj ngjitet më lart në kupolë, ku ai vendoset me 61.840 metër katror leje ndërtimi. Në vitin 2008 ka marre 16.922 metër katror, në vitin 2007 ka marre 5.747 metër katror, në vitin 2007 ka marre 1.534 metër katror, në vitin 2008 ka marre 7.286 metër katror, në vitin 2005 ka marre 30.410 metër katror.

Në krye të kupolës është Don Dollaku, me 145.366 metër katror, nga të cilat, vetëm tokë e vjedhur në zemër të Tiranës, tokë publike, është 54.153 metër katror, toka e supozuar sipas tyre te xhamia e Karapicëve, te Lidhja e Shtrimtarëve, etj, ku dokumenti paraqiste inaugurimin e saj në vitet '32 dhe ne na servirej sikur na ishte ndërtuar pas lufte, sikur Xhani Anjeli kishte ardhur në vitin ‘52 për të shitur tokën që kishte blerë. Tan Dollaku, në zemër të Tiranës, ka përvetësuar me firmë të Edi Ramës 54.153 metër katror. Tan Dollaku, në vitin 2009 ka marrë 16.600 metër katror, në vitin 2005 ka marrë 14.273 metra katror, në vitin 2005 ka marrë 7.843 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 1.680 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 6.708 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 1.031 metër katror, në 2007 ka marrë 204 metër katror, në vitin 2007 1.344 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 11.050 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 8.720 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 11.050 metër katror, në vitin 2008 ka marrë 9.440 metër katror sipërfaqe ndërtimi".

e.l/NOA - Lexoni më shumë mbi argumentin e ditës:

Rama: Opozita nuk ka dhënë ultimatum, por afat për reflektim

Berisha: Rama më solli mesazh, ja përgjigjja që i jap unë publikisht

Rama i përgjigjet akuzave të Berishës: Lejet e ndërtimit s'i dhashë unë, por KRRT

KOMENTE