Krujë, 2 Dhjetor NOA - Gjykata e Rrethit të Krujës vendosi sot që të japë masën e sigurisë së arrestit me burg pa afat për të akuzuarin Llesh Rica, i vetmi i dyshuar për vrasjen e të miturit Avdyl Zalla para pak ditësh.
Rica përballet me akuzën për veprën penale të vrasjes me paramendim.
Ngjarja ndodhi para tre ditësh në fabrikën e Çimentos së një shtetasi libanez që e ka marrë me koncesion.
Atë ditë, sipas hetimeve të deritanishme, adoleshenti 18-vjeçar Avdyl Zalla, nga fshati Zallë i Fushë Krujës, kishte hyrë në fabrikë për të vjedhur dhe roja kishte qëlluar mbi të, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Viktima humbi jetën pak më vonë, gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Para trupit gjykues, i pandehuri Llesh Rica është shprehur sot se ai ka qëlluar me armë zjarri që mbante për shkak të detyrës, me qëllimin për ta trembur, siç theksoi, "duke pasur frikë se personat që kanë qenë me Avdylin mund të më merrnin armën, pasi ishin të djem të rinj".
Rica shtoi se "unë nuk kam dashur ta vras, por plumbat kanë bërë rioshet".
"Kam qëlluar për të dhënë sinjal lajmërimi edhe te rojet e tjera për të më ardhur në ndihmë", - ka vijuar Rica rrëfimin e tij.
Po ashtu, ai ka treguar se "pas plagosjes e kam marrë dhe ngritur duke i dhënë ndihmë për ta shpëtuar duke e nisur për në spital".
Në seancën e sotme të vlerësimit të masës së sigurisë, i dyshuari ka kërkuar gjykim të shkurtuar duke pranuar vrasjen.
Por njëkohësisht, Rica ka kërkuar me anë të avokatit të tij edhe ndryshimin e akuzës së ngritur nga an e policisë dhe prokurorisë, atë të "vrasjes me paramendim".
Gjithsesi, kërkesa nuk u pranua dhe aktualisht hetimi do të vazhdojë mbi akuzën e ngritur paraprakisht.
e.l/e.r/NOA