English

Hagë, Basha nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim strategjik me EUROPOL

Tiranë, 2 dhjetor NOA - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe Drejtori i Përgjithshëm i EUROPOL-it, Rob Wainëright nënshkruan në Hagë, Holandë, marrëveshjen për bashkëpunim strategjik mes Shqipërisë dhe EUROPOL-it.

Marrëveshja synon të forcojë komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi veprimtaritë kriminale mes zyrës së EUROPOL-it dhe autoriteteve policore shqiptare.

Kjo marrëveshje përcakton gjithashtu edhe mënyrat e format e bashkëpunimit për realizimin e operacioneve të përbashkëta, kryesisht ato ndërkufitare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.

Basha tha se Shqipëria është e vendosur në politikën e saj me tolerancë zero në luftën ndaj krimit të organizuar, e vendosur që atë arritje që ka sot në Ballkanin Perëndimor, si vendi me klimën më armiqësore ndaj krimit të organizuar, t'a mbajë e t'a çojë më tej duke siguruar një ambient të sigurt për qytetarët shqiptarë, qytetarët e rajonit dhe për qytetarët evropianë, pra të eksportojë siguri drejt vendeve të BE.

"Arritja e kësaj marrëveshjeje është shenjë e besimit jo vetëm tek vullneti, por edhe tek kapacitetet e Shqipërisë për të punuar së bashku me autoritetet evropiane në luftën kundër krimit të organizuar, në këtë kuadër edhe një dëshmi më shumë për Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE, përsa i përket vendimit për heqjen së shpejti të vizave për qytetarët shqiptarë",-deklaroi Basha.

Drejtori i Përgjithshëm i EUROPOL-it, Rob Wainëright shprehu angazhimin për forcimin e bashkëpunimit midis EUROPOL-it dhe autoriteteve shqiptare për luftë kundër krimit të organizuar dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe rolin e saj udhëheqës në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale.

Gjatë qëndrimit në Hagë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha pati një drekë pune me Ministrin e Çështjeve Evropiane të Holandës, Frans Timmermans.

Ministri Basha informoi ministrin Timmermans mbi zhvillimet në Shqipëri me theks të veçantë reformat dhe hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për procesin e liberalizimit të vizave dhe për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ministri Timmermans e siguroi Bashën për mbështetjen e plotë që Holanda i ka dhënë dhe do të japë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.

k.k/NOA

KOMENTE