English

Koha për halucinacione

Nazim Bllaca ua tregonte kamerave recetat dhe ilaçet antidepresive që neuropsikiatri ia kishte përshkruar si diagnozë, kurse KTV'ja bashkë me të bijën adoleshente Arta, e trajtonte sikur të kishte zbritur në tokë Jezu Krishti. Kjo ishte një kohë halucinacionesh dhe ndjellje për ndarje të mëdha

Nga Berat Buzhala

Nuk e di saktë se cili ka qenë qëllimi i vërtetë i lansimit në opinion të një emri superanonim për publikun kosovar, siç ishte deri javën e kaluar ai i Nazim Bllacës. Nëse qëllimi ka qenë që ai të bëhet i njohur për publikun kosovar, hallall i qoftë, sepse ketë efekt e ka arritur. Nëse dikush e ka pasur ndërmend të na rikujtojë disa vrasje të dhimbshme që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës, siç ka qenë ajo e Xhemajl Mustafës, hallall i qoftë, sepse edhe ketë efekt e ka arritur. Gjithashtu na është rikujtuar edhe një herë se sa lehtë është të luash me emocionet e qytetarëve të Kosovës. Prej kur doli në shitje CD'ja e Nazim Bllacës, Prishtina dukej më ndryshe. Dukej sikur gjatë fundviteve të 90'ta, kur secili fliste vesh më vesh, pas ndonjë hataje që forcat serbe bënin në ndonjë fshat të Kosovës. Për herë të parë pas kaq kohësh, një ngjarje e tillë arriti që t'i rivalizojë një spektakli të futbollit, siç ishte ndeshja Barcelona - Real Madrid, që po luhej në të njëjtën kohë kur po shfaqej me plot bujë edhe videoja e Nazimit. E tash kur ujërat po kthjellohen ngadalë, e kur njerëzit filluan që jo vetëm ta shikojnë videon dhe t'i dëgjojnë interpretimet e Adem Salihajt, por ta dëgjojnë vetë Nazim Bllacën, po e shohim se praktikisht asgjë nuk ka ndryshuar, pos që një kamikaz me probleme evidente shpirtërore ishte kujtuar - apo ia kishin kujtuar - që ta hedhë një bombë tepër të rrezikshme në një ambient tepër të brishtë. Këtij zjarri, më kënaqësi që nuk e fshihte dot, i frynte KTV'ja me gjithë arsenalin që pati në dispozicion. Si provë e sigurt se Nazimi kishte të drejtë për çka po fliste merreshin edhe disa receta që neuropsikiatri Fatmir Xhelili ia kishte lëshuar atij. Nazimi thoshte se njihet më Zëvendësministrin sepse kishte qenë klient i tij në Shtimje. Ndoshta Xhelili njihet me Bllacën, por fakti që e ka pasur klient nuk është provë e sigurt. Zakonisht klientët e njohin më shumë mjekun, se sa e kundërta. Kur Zoti t'i qorron të dy sytë, e kur storien në kokën tënde e ke të ndërtuar edhe para se të ndodhë ngjarja, është e mundshme që disa prej mediave të mos i bëjë përshtypje as një listë e gjatë me ilaçe antidepresive, që vet Nazimi e tregonte para kamerave. Më interesante për gazetarët ishte fakti se cili neuropsikiatër e ka kontrolluar dëshmitarin, se sa prej cilës sëmundje vuante dëshmitari, dhe nëse kjo sëmundje mund të kishte ndikim në vërtetësinë e deklaratave të tij dhe nëse një person nën ndikimin e qetësuesve mund të merret fare për bazë për dëshminë e tij. Nuk po e gjykoj dëshmitarin për sëmundjen e tij, sepse ai nuk është aspak përgjegjës për problemet e tij shëndetësore, por gazetarët që po luanin me fatkeqësinë e tij vetëm për të arritur që t'i plotësojnë agjendat e tyre. Avokati i Bllacës sipas detyrës zyrtare, ka kërkuar që klientit të tij t'i bëhet një skanim i gjendjes shpirtërore. Më e rëndësishme se sa e vërteta, doli të jetë përmendja sa më e shpeshtë e emrit të Xhemajl Mustafës, Ejup Visokës, Agim Veliut, e të ndonjë tjetri në këtë kontekst. Nuk u harrua as planifikimi i atentatit kundër Presidentit Ibrahim Rugova. Pra, çfarëdo që thoshte Nazimi merrej si punë e kryer. Na kishte mbetur vetëm t'i arrestonim personat që i apostrofonte ky njeri. Kur po kalonin orët, e kur Nazimi filloi t'i shpaloste publikisht simptomat e tij, gjërat erdhën e u bënë më të qarta. Kishim të bënim me një njeri që paradite thoshte se filan viktimën e kishte vrarë Faruku, e pasdite Sadiku. Paradite thoshte se e dinte me saktësi se kush i ka vrarë krejt ata që në Kosovë ishin likuiduar në rrethana enigmatike, e pasdite tregonte se kënd e kishte vrarë me dorën e tij. Mirëpo, hajde për një moment ta lëmë anash gjithë këtë rrëmujë dhe të merremi pakëz me "spin doktorin" kryesor të këtij lajmi: "viktimën" Adem Salihajn, i cili ishte aq i ngazëllyer që e kishte zbuluar, jo ndonjë vëlla të humbur, por atentatorin e tij potencial. Ai doli, e dha kushtrimin dhe organizoi konferencë pas konference për shtyp, e bile kërkoi prej LDK'së që ta lëshojë Qeverinë, sepse tash e vërteta cullak do t'i shpaloset opinionit publik. Tha se e kishte në dorë zogun e artë, i cili tash do të na tregojë të vërtetën supreme për krimet që kanë ndodhur në vendin tonë këtu e 10 vjet më parë. Në fakt, krejt çka ne dëgjuam ishte një variant i Salihajt për këto ngjarje, të cilin e kemi dëgjuar shumë herë më parë.Â

(*) Kryeredaktor, "Express"

KOMENTE